Në Konventën e Bizneseve kërkohet krijimi i mundësive për investimet e diasporës

25 nëntor 2019 | 13:39

Konventa e bizneseve të diasporës dhe të huaja, e cila organizohet nga Rrjetet e Bizneseve të Diasporës Shqiptare nga Evropa, në bashkëpunim me USAID, është hapur sot dhe do të vazhdoj për dy ditë.

Qëllimi i kësaj konvente është të krijojë rrjetëzim dhe bashkëpunim mes bizneseve të Kosovës, diasporës dhe atyre të huaja, duke i bashkuar në një pikëtakim, si dhe të ofrojë mundësi të integrimit në fushën e ekonomisë përmes takimeve B2B.

Drejtori i zyrës së USAID-it për zhvillim ekonomik, Joshua Mike, i përgëzoi bizneset nga diaspora që po vazhdojnë këtë traditë për të lidhur bizneset e Kosovës me tregjet e reja drejt Bashkimit Evropian.

Duke e konsideruar si një hap pozitiv mbajtjen e kësaj konference, Mike ka deklaruar se ngjarje të tilla ndihmojnë rritje ekonomike në Kosovë. “Përmes vizitave në terren, duke biseduar në konventa të ndryshme, duke u takuar me udhëheqësit e bizneseve është një optimizëm i shëndetshëm për një të ardhme më të ndritur ekonomike, dhe një element kritik i kësaj është marrëdhënia ndërmjet diasporës dhe udhëheqësve të bizneseve në nivel vendi. Jam impresionuar me kualitetin dhe kalibrin e ndërlikueshmërisë sofistikimit të bizneseve që kam parë në teknologji informative, në përpunimin, biznesin e gjelbër dhe vazhdimisht i shoh se jeni duke përmirësuar proceset tuaja të certifikimit duke inkorporuar teknologjinë në veprimtarinë tuaj”, ka thënë Mike, duke shtuar se të gjitha këto janë çelës për ruajtjen dhe krijimin e tregjeve të reja për një ekonomi të orientuar kah eksporti që do sjell rritje dhe zhvillim këtij vendi.

Kurse, udhëheqësi i degëve të rrjetit të bizneseve të diasporës shqiptare në Evropë, Yll Blakaj ka thënë se qëllimi i kësaj konvente është krijimi i një klimës për të rritur investimet në Kosovë.

Blakaj u bëri thirrje bizneseve vendore dhe atyre të huaja t’i shfrytëzojnë këto takime për të rritur tutje bashkëpunimin, derisa si kërkesë të veçanta nga kryetarët e komunave pati që ata të shpalosin programin e tyre lidhur me diasporën. “Prodhuesit tanë të cilët tashmë prodhojnë edhe në Kosovë hapësirën e tregut evropian e gjejnë shumë më lehtë nëpërmjet këtyre evenimenteve të cilat kanë për qëllim edhe krijimin e besueshmërisë në mes të bizneseve të diasporës dhe bizneseve vendore këtu… Për të ardhur deri tek suksesi na duhet punë dhe përkushtim, megjithatë na duhet besueshmëria, të fillojmë t’i besojmë njëri tjetrit si partner dhe biznese shqiptare tjetër zgjedhje nuk kemi”, ka deklaruar Blakaj.

Lazim Destani, kryetar nderi i Rrjeti të Bizneseve të Diasporës Shqiptare, ka thënë se derisa Kosova ka nevojë për krijim të vendeve të punës, kjo mundësi do të ofrohet përmes rritjes së bashkëpunimi në mes bizneseve vendore dhe atyre të diasporës.

Si kryetar nderi pati edhe një kërkesë karshi bizneseve vendore dhe atyre të diasporës shqiptare. “Dëshiroj që të keni biseda këto dy ditë që jemi bashkë, mos përtoni ju kompanitë e vendeve këtu por edhe të diasporës që të komunikoni të bisedoni që sa më shumë ofroheni njëri me tjetrin sepse kështu jemi gjithmonë më të fortë. Kompanitë të cilat kanë ardhur nga diaspora unë jam më se i bindur se me vetë iniciativën, me vetë kosto, kanë ardhur pse e duan Kosovën, e duan vendin dhe duan t’i ndihmojnë Kosovës”, u shpreh Destani.

Nënkryetari i Unionit të Bizneseve Shqiptaro-Gjermane, Bekim Borovci deklaroi se forume të tilla dëshmojnë përkushtimin e afarizmit kosovar për zhvillim ekonomik. “Një forum i tillë ekonomik i cili në vazhdimësi dëshmon përkushtimin e afarizmit kosovar dhe të diasporës së saj në ndezjen e impulseve të reja për një vazhdim të implementimit të platformës intensive dhe zhvillimore të filluar nga themeli i Rrjeteve të Bizneseve të Diasporës. Si energji e re e ndërtuar nga mundësia e ofruar e të bërit biznes në Kosovë dhe kapitali së bashku me përvojën nga diaspora mund të hap një zhvillim për Kosovën, janë aset i ri i kalitur në vendet më të zhvilluara të botës, me resurse të pashfrytëzuara të Kosovës”,  u shpreh Borovci.

Përfaqësuesja nga Ministria e Diasporës dhe Investimeve Strategjike, Shqipe Krasniqi, ka thënë se përmes takimeve rritet bashkëpunimi në mes bizneseve në Kosovë dhe atyre në diasporë. Ajo theksoi se ministria ka hartuar dokumente strategjike që ndihmojnë këtë lidhje. “Përmes këtyre takimeve forcohet dhe zgjerohet bashkëpunimi në mes të bizneseve të diasporës dhe atyre të huaja me ato kosovare duke promovuar qasjen e bizneseve të vendit në tregjet ndërkombëtare. Përmes bizneseve të diasporës dhe takimeve B2B. Në strategjinë tonë kemi paraparë disa objektiva se si do i realizojmë qëllimet tona. Kjo do bëhet përmes fuqizimit dhe bashkëpunimit me diasporën për zhvillimin ekonomik, promovimit dhe aseteve investive, promovimi i turizmit përmes diasporës”, u shpreh Krasniqi.

Këto konventa gjatë viteve të kaluara kanë zhvilluar 542 takime B2B mes 401 bizneseve të diasporës dhe 132 bizneseve të Kosovës, duke rezultuar me nënshkrim e 12 kontratave, 42 marrëveshje dhe oferta të reja të iniciuara, dhe kontrata të reja të shitjes me vlerë 1.1 milion euro.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Aktivistët e Lëvizjes Vetëvendosje, Egzon Azemi dhe Kushtrim Avdimetaj janë…