Institucionet e sigurisë po bëhen gati për zgjedhjet në veri
Në koordinim me përfaqësuesit e institucioneve Policisë së Kosovës, Prokurorisë së Shtetit, Panelit Zgjedhor për Ankesa e Parashtresa dhe Këshillit Gjyqësor të Kosovës, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka mbajtur Programin Orientues i Sigurisë për zgjedhjet e jashtëzakonshme për katër komunat në veri.
Enis Halimi, kryeshef ekzekutiv i Sekretariatit të KQZ-së, ka thënë se procesi zgjedhor është shumë i rëndësishëm për vendin tonë dhe për këtë KQZ-ja është e gatshme të bashkëpunojë me gjithë akterët që janë të përfshirë në këtë proces.
Afrim Ahmeti, drejtor i Departamentit për Operacione në Policinë e Kosovës, ka thënë se policia po bën përgatitjet e fundit bashkë me KQZ-në që të monitorojë zgjedhjet në mënyrë që gjithë procesi të shkojë pa probleme.
“Ditën e zgjedhjeve do të caktojmë hetues policorë që do të jenë të gatshëm t’i përgjigjen të gjitha situatave në terren”, ka thënë ai, raporton ‘Ekonomia Online’.
Ndërsa, Laura Pula, koordinatore nacionale nga Zyra e Kryeprokurorit të Shtetit, ka thënë se edhe këtë vit fokus do të jetë mbrojta e votës në mënyrë që të mos ketë manipulime.
“Edhe në këto zgjedhje do të angazhojmë prokuror të mjaftueshëm në 4 komuna që do të kujdestarojnë 24 orë dhe kemi staf mbështetës për ruajtjen e votës”, ka thënë Laura Pula.