Në Koshare me Sali Çekajn
Arif Molliqi
Sali, këtë herë të erdha vetëm
të thirra: ku je, o komandant?
ti u qeshe, u qeshe
me atë qeshjen tënde karakteristike plot ironi
mos më thirr komandant, më the
se ia nxorën bojën fjalës komandant
ne luftuam për Kosovën
jo për grada
të erdha vetëm Sali
nuk desha të vij me ata që, kur vijnë këtu
para gjithë juve që dhatë jetën për atdhe
vajtojnë dhe qajnë duke ju gënjyer
ata që në emër të gjakut tuaj u bënë milionerë
u bënë matrapazë
më fal Sali
të erdha vetëm dhe nuk po qaj për ju
po qaj për veten
për të gjallët po qaj
më vjen turp të qaj kur i shoh të gjallët si na mashtrojnë
komandantët e pasluftës po na rrejnë
o Sali…
e di
e ke vështirë të më besosh, Sali-oooo
ata jo vetëm juve ju kanë rrejt
ata edhe neve po na rrejnë 63
tani rrini të qetë Sali, Agim, Xhemajl…
ju të gjithë që dhatë gjakun për atdhe rrini të qetë
së paku nuk i dëgjoni të vdekurit e pavarrosur
kur rrejnë në emër tuajin
Kronika e një fotografie
në fotografinë e vjetër
s’më mjafton koha ta njoh veten mes shokëve
kohëmatësi dhe ëndrrat janë plakur
gjurmët e udhëve janë thinjur
secili ka sekretet e veta
në trekëndëshin e kohës së regjur
në shikim të parë
duket se çdo gjë përmbyset brenda kujtimeve
aty ku kryqëzohen udhëtimet
u plakëm e u mplakëm o shokë
duke shkuar festave të rrejshme
me kostume të arnuara
me ëndrrat që na përsëriten
koha që e kishim s’i duhet më askujt
mbase dikush e quajti aventurë
refuzim idhnak
pse s’i pranuam epoletat e huaja
(kaq është habia e tyre)
tani kur ta shihni fotografinë
me borën e bardhë mbi kokë
që nuk shkrihet as në verë
që nuk shkrihet as kur bën vapë
as kur nga pemët bien frytet e mërdhita
Kam bërë një kapërcim
Në gjeografinë e re
kam vizatuar një hartë
që asgjë nuk mbetet në vendin e vet
të tjerët i lëvizin
kam shënuar rrugën
shtëpinë ku banoi
madhësitë e dhomave
nuk harroj t’i shënoj emrat e të gjallëve
të vdekurit ka kohë që vetëm i kujtojmë
nuk i harroj as dy vazo me lule
në dritaren e shtëpisë
as qershinë në fund të kopshtit
po e përsëris të papërsëriturën
shumë ngjarjeve u kam bërë një kapërcim
nuk e kam harruar
luftën dhe terrorin që e jetuam
që dikush e shënoi si libër i llogarive
si lista të inventarit shtetëror
qe njëherë shënohen
pastaj arkivohen