Në Kosovë arrijnë 300 vaksina kundër kancerit të qafës së mitrës
Një lajm i mirë nga Shëndetësia, për vajzat e moshës 9 deri në 15 vjeçe, kjo pasi që në Kosovë kanë arritur 300 vaksina kundër kancerit të qafës së mitrës, e që sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë, kjo vaksinë parandalon deri në 99% kancerin në këtë organ.
Rastet e para tashmë janë vaksinuar në Institutin Kombëtar të Shëndetësisë Publike, në mënyrë vullnetare. Ndërkohë që synohet që në tetor të vitit të ardhshëm të vijnë edhe 5 mijë vaksina të tjera.
Kontingjenti i parë me 300 doza të vaksinës kundër kancerit të qafës së mitrës, tashmë është në duar të institucioneve shëndetësore dhe ka filluar të aplikohet për rastet vullnetare.
Femrat e interesuara mund ta marrin këtë vaksinë në Institutin Kombëtar të Shëndetit publik por mjekët thonë se përparësi kanë ato me indikacione gjenetike për prekjen nga kanceri i qafës së mitrës.
Fetije Fetaj, shefe e vaksinimit në Institutin Kombëtar të Shëndetit Publik, ka thënë se mosha më e mirë e parandalimit dhe vaksinimit janë femrat nga mosha 9 deri në 15 vjeçe.
Fetaj tha se ditë më parë ka filluar vaksinimi me 300 dozat e para, por në janar pritet që Qeveria e Kosovës t’i sigurojë edhe 5 mijë doza të tjera me qëllim që në Tetor të vitit të ardhshëm, kjo vaksinë të futet në kalendarin e rregullt të imunizimit për femrat nga 9 vjeç e tutje.
Ndërsa nga Organizata Botërore e Shëndetësisë në Kosovë thonë se nga përvoja e shteteve të zhvilluara, rastet e imunizuara kanë rezultuar se janë të mbrojtur deri në 99% nga kanceri i qafës së mitrës.
“Rreth 300 doza pritet me qenë në Kosovë vitin e ardhshëm, në këtë aspekt OBSH ka bashkëpunuar me Unicef dhe UNFPA për t’i siguruar këto vaksina, dhe është rekomanduar që kjo vaksinë të jetë për vajzat nga 9 deri në 15 vjet”, tha Oleksander Martynenko, Shef I zyrës së OBSH-së në Kosovë.
Ajo tha se në vendet e zhvilluara evropiane aplikimi i kësaj vaksine tanimë është i zakonshëm, por siç tha ajo, po presim që në vitet e ardhshme të jetë edhe këtu.
“Nga përvoja e tyre kjo vaksinë e ka dëshmuar se ata që e kanë marrë vaksinën kundër kancerit të qafës së mitrës, janë të mbrojtur deri në 99% ndërsa ato që nuk e kanë marrë vaksinën kanë treguar mundësi të lartë të prekjes nga kanceri I qafës së mitrës”, tha Martynenko.
Në fund të muajit Janar do të fillojë trajnimi i stafit mjekësor, e pastaj synohet mbajtja e fushatave vetdijësuese për prindër dhe vajzat e moshave të reja.