Në Kosovë do të organizohet Festivali i Filmit Sportiv
Komiteti Olimpik i Kosovës ka organizuar të enjten takim me regjisorë, producentë, skenaristë dhe gazetarë sportivë, me rastin e shënimit të 21 nëntorit – Ditës Botërore të Televizionit. Në takimin e mbajtur në “Hotel Sirius” në Prishtinë u diskutuan tema të ndryshme në lidhje me sportin, filmin, dokumentarët sportivë etj.
Kryetari i KOK-ut, Besim Hasani, ka njoftuar se KOK-u është bërë anëtar i 121-të i Federatës Ndërkombëtare të Kinemasë Sportive dhe Televizionit (FICTS). “Arsyeja kryesore që ju kemi ftuar është të fillojmë një bashkëpunim për realizimin e filmave që kanë të bëjnë me sukseset e sportistëve të Kosovës dhe sportit në përgjithësi. Me anëtarësimin në FICTS ne qysh nga viti i ardhshëm do ta organizojmë Festivalin e Filmit Sportiv për herë të parë në Kosovë, ku do të bëhemi njëra nga 16 shtetet organizatore të këtij Festivali”, ka thënë Hasani, sipas të cilit, filmat e përzgjedhur do të garojnë në Kampionatin Botëror të Filmit Sportiv, që FICTS e organizon çdo vit në Milano të Italisë. Profesori dhe regjisori i njohur Fadil Hysaj ka thënë se vetëm me filma dhe dokumentarë mund t’i tregojmë botës përjetimet e historive të ndryshme që ka populli ynë, derisa si storie mori shembull mikpritjen madhështore që tifozët e Kosovës ia bënë Kombëtares së Anglisë në futboll gjatë fundjavës së kaluar.
Në emër të Shoqatës së Gazetarëve Sportivë të Kosovës, kryetari Edmond Thaçi shprehu mbështetjen e ShGSK-së për të gjithë ata që do të marrin iniciativa për realizimin e filmave dhe dokumentarëve sportivë. Sekretari i përgjithshëm i KOK-ut, Shasivar Haxhijaj, propozoi që të bashkëpunohet edhe me Qendrën Kinematografike të Kosovës (QKK). Me diskutime të frytshme kontribuuan edhe gazetarët Gani Kosumi, Artan Muhaxhiri, Arlind Grantolli, si dhe regjisorët e producentët e tjerë: Florent Mehmeti, Arben Kastrati, profesori Sadik Krasniqi. Në fund u formua edhe Këshilli Iniciues për të gjitha propozimet e dhëna si dhe për organizimin e Festivalit të Filmit Sportiv në Kosovë.