Në Kosovë nuk ka të dhëna për arritjen e vaksinës në veri
Qeveria në detyrë e Kosovës ka njoftuar se nuk ka asnjë të dhënë nga Dogana dhe nga Policia Kufitare, se në Kosovë kanë hyrë vaksina kundër sëmundjes Covid-19, të cilat është thënë se u janë shpërndarë qytetarëve në veri të vendit.
Të premten, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, deklaroi se në veri të Kosovës ka filluar vaksinimi kundër koronavirusit me vaksinën Pfizer/BioNTech, e cila ka arritur në Serbi para disa ditësh.
“Nëse këto vaksina kanë hyrë në Kosovë përmes rrugëve ilegale, atëherë institucionet e Kosovës do të ndërmarrin masat e nevojshme ligjore ndaj personave të përfshirë në këtë aktivitet ilegal, kontrabandim me barna”, thuhet në deklaratën e Qeverisë në detyrë të Kosovës.
Sipas saj, institucionet e Kosovës nuk kanë pasur asnjë komunikim zyrtar me institucionet e Serbisë në lidhje me këtë çështje, as përmes Zyrave Ndërlidhëse, as me ndërmjetësimin e bashkësisë ndërkombëtare.
Vuçiq tha të premten se vaksinimi ka filluar në Leposaviq dhe se do të nisë edhe në Mitrovicë.