Në Kosovë prezantohen 23 brende të automjeteve (Foto)
Në panairin e automjeteve “Prishtina International Autoshow”, që është hapur sot në Qendrën e Panaireve në Shkabaj, po prezantohen 23 brende të automjeteve me modelet e tyre më të reja, modele nga fjala e fundit e teknologjisë dhe inovacionit nga industria e automjeteve botërore.
Në ceremoninë e hapjes së panairit, ministri i Zhvillimit Ekonomik, Valdrin Lluka, ka deklaruar se sektori automobilistik është me rëndësi për vendin dhe është një sektor për gjenerimin e vendeve të reja të punës.
Ministri Lluka ka thënë se pritet që TVSH-ja të hiqet për veturat elektrike, sepse është e ardhmja e ekonomisë digjitale.
“E ardhmja në këtë sektor automobilistik, është në makinat elektrike dhe për këtë iniciativë kemi filluar që në ligjin aktual të TVSH-së, që është duke u rishikuar. Ne do ta heqim TVSH-në sa i përket makinave elektrike dhe kjo është iniciativë për ta lehtësuar importin e këtyre makinave, për të bërë më të përballueshme koston e atyre makinave. Sepse këtu ka benfite të shumta. E ardhmja e automobilistikes së bashku me energjinë dhe pjesën digjitale, pra ekonominë digjitale”, u shpreh Lluka.
Ministri i Tregtisë dhe Industrisë, Endrit Shala, duke vlerësuar këtë industri si mjaft me rëndësi për tregti dhe ekonomi, tha se MTI ka ndërmarrë disa hapa për krijimin e kushteve për investime në Kosovë.
Ai i ka ftuar që brendet e reja automobilistike botërore, të investojnë në Kosovë.“Ju siguroj në përkushtimin e Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë, Qeverisë së Kosovës për krijimin e kushteve sa më të mira për juve si tregtarë, si importues të brendeve kryesore të automjeteve në Republikën e Kosovës. Por, njëkohësisht edhe duke kërkuar nga ju një partneritet me Qeverinë, me qëllim që çdo kontakt të juajin që e keni me këto kompani të mëdha, ta shfrytëzojmë ose ta konsiderojmë mundësinë që këto kompani t’i ftojnë që të investojnë në Kosovë. Ne si MTI i kemi ndërmarrë disa hapa, do të vazhdojmë me hapa të tjerë duke ofruar mundësi më të lehta për investime në Kosovë dhe njëkohësisht duke krijuar kushtet që investitorët potencial të kenë më të lehtë përzgjedhjen, në këtë rast Republikën e Kosovës për investim”, theksoi Shala.
Ndërkaq kryetari i Shoqatës së Importueseve të Autorizuar të Automjeteve të Reja (SHIAR), Bujar Hoxha ka thënë se me këtë industri të automjeteve kontribuojnë në buxhetin e shtetit dhe në punësim.
“Auto lux importuesit e veturave të reja, po thuajse që katër muaj kanë punuar për këtë ngjarje dhe nuk kanë kursyer fare edhe në aspektin mjeteve financiare që t’i sjellin të gjitha modelet e reja për t’i prezantuar në tregun e Kosovës. Është një ngjarje, të cilat besoj se do t’i vazhdojmë edhe në vitet e ardhshme. Ne jemi një industri, e cila jashtëzakonisht kontribuon në buxhetin e Kosovës dhe në krijimin e vendeve të reja të punës. Andaj, shpresoj që të kemi përkrahjen e mëtejme të Qeverisë së Kosovës”, tha Hoxha.
Ndërsa, Fisnik Shita përfaqësues i kompanisë “Kia” për Kosovë, tha se në këtë panair po i prezantojnë dy modele të reja, “Kia ceed” dhe ‘Kia sportage”. Ai deklaroi se kjo përfaqësi do të sjellë në Kosovë edhe modele elektrike të veturave.
“Në panair jemi prezent me dy modele ‘Kia sportage’ dhe ‘Kia cee’. Prej panairt normalisht presim një promovim të berendit tonë në tregun kosovar për shkak se brendi jonë është shumë I njohur në shtetet tjera. Mirëpo, në tregun tonë, ende nuk është aq sa duhet I përfaqësuar. Kompania jonë sivjet ka filluar me një model elektrik, mirëpo atë model fatkeqësisht nuk e kemi ende në tregun tonë”, theksoi Shita. Po ashtu edhe Autosalloni “Luxuryauto”, në këtë panair po prezanton vetura me brende të reja.
Shpëtim Humolli nga “Luxuryauto”, ka thënë se janë përfaqësues të “Jaguar” dhe “Land Rover” në Kosovë dhe po prezantojnë “Evoque” më të ri, 2019.“Jemi përfaqësues të ‘Jaguar’ dhe ‘Land rover’ në Kosovë, përfaqësinë e kemi që tri vjet. Kemi brende botërore, tash prezantojmë edhe ‘Evoque’ më të ri, 2019, është një brend që i mbledh klientët më serioz që janë, siç janë firmat e mëdha. Presim shumë nga ky brend. Tash e pas pritet me u shtua edhe blerja, sepse presim nga ky panair që të kemi dhe klientë. Çmimet variojnë, prej 40 mijë euro, kjo varet sipas automjetit apo sipas xhipit. Janë nga 40 mijë deri 160 mijë euro”, u shpreh Humolli.
Ndërsa, në edicionin e dytë të panairit, i cili është më ndryshe se të gjitha panairet e mbajtur në Kosovë, po prezantohen 23 brende të automjeteve me modelet e tyre më të reja, modele nga fjala e fundit e teknologjisë dhe inovacionit nga industria e automjeteve botërore. Të pranishëm në këtë panair janë brendet: Audi, BMW, Citroen, Dacia, Fiat, Ford, Hyundai, Jaguar, Jeep, Kia , Lexus, Land Rover, Mercedes, Nissan, Opel, Peugeot, Porche, Renault, Skoda, Suzuki, Seat, Toyota, dhe Volkswagen.