Rritet numri i pasagjerëve që shfrytëzojnë trenin dhe aeroplanin
Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK) ka publikuar “Statistikat e Transportit dhe Telekomunikimit” për TM4 2018, me të dhëna mbi Transportin Ajror, Hekurudhor, Rrugor dhe Telekomunikimin.
Sipas ASK-së, në territorin e Kosovës janë gjithsej 333 kilometra binarë hekurudhor për transport.
Në tremujorin e katërt të vitit 2018, numri i pasagjerëve që kanë shfrytëzuar trenin si mjet udhëtimi ishte 33 000.
“Ndërsa, krahasuar me tremujorin e njëjtë të vitit të kaluar (TM4 2017), numri i udhëtarëve është rritur për 31.68 për qind. Transporti i mallrave me tren në tremujorin e katërt (TM4 2018) ishte 213 mijë tonë, krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar (TM4 2017), ku ka një rritje për 11.19 për qind”, është thënë në raportin e ASK-së.
Kurse sa i përket numrit të fluturimeve në tremujorin e katërt të vitit 2018, janë realizuar 1 862 fluturime ose 13.12 për qind më shumë se në tremujorin e njëjtë të vitit të kaluar (TM4 2017).
“Kurse, numri i udhëtarëve që kanë shfrytëzuar aeroplanin si mjet transporti gjatë këtij tremujori ishte rreth 500 000, në raport me tremujorin e njëjtë të vitit të kaluar (TM4 2017), ku ka një rritje për 19.63 për qind. Në vitin 2018, në Kosovë janë të regjistruara 343 631 mjete motorike dhe jomotorike, në raport me vitin 2017, ka një rritje për 2.75 për qind”, thuhet në raportin e ASK-së.
Sipas të dhënave të prezantuara, në vitin 2018 në territorin e Kosovës ka 2 074.7 kilometra rrugë, ku në kategorinë e rrugëve autoudhë ishin 6 për qind, rrugë nacionale 31 për qind, ndërsa 63 për qind janë rrugë rajonale.
“Bazuar në kërkesën e Eurostat-it, duke filluar nga tremujori i dytë i vitit 2018 (TM2 2018), publikimi ka pësuar disa ndryshime në pjesën e telekomunikimit, duke përfshire të dhënat edhe nga operatorë të tjerë”, është thënë në raportin e ASK-së.
/Epoka e re/