Në Kosovë shënohet Dita Botërore e Personave të Moshuar
Dita Botërore të Personave të Moshuar në Prishtinë u shënua nën moton “Qëndrueshmëria dhe kontributet e grave të moshuara në një botë në ndryshim”.
Drejtori ekzekutiv i Institutit Kombëtar, Naser Ramadani ka thënë se shënimi i Ditës Botërore të Personave të Moshuar, ka për qëllim ngritjen e vetëdijes dhe ndërgjegjësimin për çështjet që prekin të moshuarit, të tërheqë vëmendjen dhe të sfidojë stereotipet dhe keqkuptimet negative për të moshuarit dhe plakjen, t’u mundësohet të moshuarve të kuptojnë potencialin e tyre, për të vlerësuar kontributin e të moshuarve në shoqëri si dhe për të dëshmuar respektin ndaj tyre.
“Ne si IKShPK ndjehemi mirë që pas një kohe të gjatë të angazhimit të vazhdueshëm, në ngritjen e ndërgjegjësimit dhe të ndërmarrjes së veprimeve që lidhen me të moshuarit dhe kujdesin ndaj tyre, tashmë është e dukshme që aspektet që lidhen me këtë fushë janë gjithnjë e më të pranishme dhe të trajtuara edhe në opinionin publik edhe nga institucionet përgjegjëse në vendin tonë”, ka thënë Ramadani.
Zëvendësministrja e Shëndetësisë, Dafina Gexha ka thënë se Ministria e Shëndetësisë, do të vazhdojë të zhvillojë programin e saj për një kualitet më të mirë të shërbimeve shëndetësore, brenda të cilave të moshuarit edhe në të ardhmen do t’i kenë shërbimet falas, ndërkohë që, përmes Strategjisë së re të Shëndetësisë, sipas saj, rëndësi do t’u japin edhe fuqizimit të shërbimeve të kujdesit shtëpiak, përfshirë shërbimet e paliacionit.
Përveç kësaj, ajo informoi se MSh-ja ka porositur vaksina të mjaftueshme për këtë kategori dhe se ata do të informohen së shpejti për kohën e vaksinimit, ndërkohë që edhe sot bënë thirrje që të moshuarit të marrin dozat përforcuese të vaksinës kundër Covid-19.
Përfaqësuese nga shoqata “Vita-Jeta”, Rabije Slivova ka theksuar se aktivitetet e kësaj shoqate, iu shërbejnë grave të moshuara që të shoqërohen me njëra-tjetrën, të largohen nga problemet e përditshme, dhe të vetëdijesohen për shëndetin e tyre, me anë të ligjëratave dhe trajnimeve të ndryshme.
Fahrije Ajeti nga MFPT ka pohuar se kjo ministri, të moshuarit i trajton në dy rrafshe: Mbrojtja institucionale-rezidenciale dhe përkrahja financiare.
Ajo ka theksuar se në Kosovë aktualisht janë pesë shtëpi, të cilat ofrojnë shërbime dhe përkujdesje 24 orëshe për personat e moshuar, pa përkujdesje familjare, të cilët janë edhe raste sociale.
Sipas Ajetit, këto shtëpi janë në Skenderaj, Istog, Graçanicë dhe Novëbërdë.
Dr. Pranvera Krasniqi nga Qendra e Moshimit në IKShPK, shpalosi një prezantim, me titull “Qëndrueshmëria dhe kontributet e grave të moshuara, në një botë në ndryshim”, ku theksoi objektivat për vitin 2022.
“Të nënvizohet qëndrueshmëria e grave të moshuara përballë pabarazive mjedisore, sociale, ekonomike dhe gjatë gjithë jetës. Të rritet ndërgjegjësimi për rëndësinë e përmirësimit të mbledhjes së të dhënave në mbarë botën, të ndara sipas moshës dhe gjinisë. T’u bëhet thirrje institucioneve dhe shoqërisë civile, që të përfshijnë gratë e moshuara, në qendër të të gjitha politikave, duke siguruar barazinë gjinore”, ka thënë Krasniqi.