Në KQZ shqyrtohet shtyrja e afateve kohore për zgjedhjet në veri
Këshilli për operacione zgjedhore i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), shqyrton të hënën kërkesën e anëtarit të këtij Komisioni nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Ali Rama, për shtyrjen e afatit për certifikim të subjekteve politike në zgjedhjet për kryetarë të katër komunave në veri të Kosovës.
Zgjedhjet për kryetarët e katër komunave në veri të Kosovës – Mitrovicë e Veriut, Zubin Potok, Leposaviq dhe Zveçan – janë shpallur nga presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani për datën 18 dhjetor.
Zgjedhjet e jashtëzakonshme për kryetarë të këtyre komunave, janë shpallur pas dorëheqjes së zyrtarëve që kanë qenë në këto pozita më 5 nëntor.
Ata kanë marrë këtë vendim, pas shkarkimit të drejtorit të Policisë së Kosovës për rajonin e veriut, Nenad Gjuriq, për shkak të refuzimit të zbatimit të vendimit të Qeverisë së Kosovës për riregjistrimin e veturave me targa ilegale serbe në RKS – Republika e Kosovës.
Qeveria e Kosovës ka nisur zbatimin e vendimit për targat më 1 nëntor.
Serbët nga veriu i Kosovës dhe Beogradi zyrtar kundërshtojnë riregjistrimin e makinave dhe kërkojnë targa neutrale ndaj statusit të Kosovës.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, janë duke diskutuar çështjen e targave në një takim të thirrur nga Brukseli më 21 nëntor.
KQZ-ja, më 15 nëntor, ka marrë vendimin për miratimin e planit operacional, i cili parasheh që afati për aplikim për certifikim të subjekteve politike dhe kandidatëve për pjesëmarrje në këto zgjedhje të nisë më 15 nëntor dhe të përfundojë më 21 nëntor të vitit 2022.
Anëtari i KQZ-së nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Ali Rama, ka thënë se po të njëjtën ditë kur është marrë vendimi për planin operacional, ai ka kontestuar afatet kohore të vendosura brenda këtij plani, duke i konsideruar të shkurtra.
“Të martën, kam thënë se (afatet) janë të shkurtra. Nuk u lihen subjekteve politike pesë ditë për t’i përgatitur kandidaturat e tyre dhe më pas i kanë 18 ditë për t’i trajtuar. Janë vetëm 18 derisa kur të nisë fushata (zgjedhore)”, ka thënë Rama.
Më pas, sipas tij, në mbledhjen e KQZ-së, të shtunën, më 19 nëntor, është arritur pajtimi që kërkesa e tij të paraqitet me shkrim, me 21 nëntor, të hënën.
Vendimi i Këshillit për operacione zgjedhore, gjatë ditës, do t’iu procedohet anëtarëve të KQZ-së.
Rama ka theksuar se KQZ-ja, në rastin e zgjedhjeve të jashtëzakonshme – sipas Ligjit për zgjedhjet e përgjithshme – ka të drejtë të ndryshojë afatet kohore në pajtim me rrethanat. /REL