Në kufirin Serbi – Kroaci qytetarëve iu morën dokumentet, u mbajtën të bllokuar 18 orë
Dhjetëra autobusë të Kosovës me qindra udhëtarë që po udhëtonin nga shtetet e Evropës për në Kosovë dhe anasjelltas janë mbetur të bllokuar për rreth 18 orë nëpër pikëkalimet kufitare të Serbisë.
Në pikë kalimin kufitar Kroaci – Serbi, policia kufitare e Serbisë iu mori dokumentet qytetarëve të Kosovës pa asnjë sqarim.
Ku veprim i autoriteteve kufitare të Serbisë ngjalli reagime të ashpra të institucioneve të Kosovës. Reagoi edhe Bashkimi Evropian. Zëdhënësi Peter Stano tha se Serbia ka shkelur marrëveshjen për lëvizjen e lirë.
Dymbëdhjetë autobus me udhëtarë nga Kosova u ndaluan mbrëmë më mesnatë në pikë kalimin kufitar “Batrovc”, Serbi- Kroaci. Policia kufitare e Serbisë ua mori dokumentet qytetarëve të Kosovës duke i mbajtur të bllokuar për më shumë se 15 orë. Vllaznim Shala, shofer i një autobusi që po vinte në Kosovë, rrëfeu për rrethanat e kësaj ndalese kufitare.
“Asni sqarim nuk është dhanë përveç se na mbajnë të bllokuar na kanë marrë dokumentet asgjë tjetër ::::: Edhe po i marrin nga 2-3 udhëtar nga çdo autobus po i marrin në pyetje”, tha Vllaznim Shala, shofer i autobusit në rrugë ndërkombëtare.
Një nga udhëtarët e bllokuar në pikën kufitare në Kroaci – Serbi, tha se policia serbe iu kishte bërë disa pyetje të pazakonta.
Ndërkohë në vendin e ngjarjes është parë edhe ambulanca, pasi që njërit nga udhëtarët iu kishte përkeqësuar gjendja shëndetësore.
“Asnjë sqarim vetëm pyetje ku po shkon, çka punon, çka vepron kurgjo tjetër e kot krejt pa arsyetime pa asgjë”, tha një qytetarë për Rtv21 i cili mbeti i bllokuar në pikën kufitare Kroaci- Serbi.
Ky veprim i autoriteteve kufitare të Serbisë ndaj qytetarëve të Kosovës, ka ngjallur reagimin e institucioneve.
Ministria e Punëve të jashtme e cilësoi si një veprim hakmarrës të Serbisë pas votimit në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës për pranimin e Kosovës në këtë mekanizëm. Ministria ka njoftuar se bllokim të udhëtarëve kosovarë ka pasur edhe në zonat tjera neutrale të pikë-kalimeve kufitare me Serbinë.
Pas veprimeve arbitrare të Serbisë, institucionet tona, Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës ka njoftuar shtetet e KUINT-it, Institucionet e BE-së dhe të tjera ndërkombëtare rreth kësaj situate dhe presim që kjo situatë të përfundojë shpejtë. Duke marrë parasysh faktin që në qarkullim janë shumë lajme të rreme, të cilat synojnë përhapjen e frikës dhe kaosit, ju lusim të ndiqni @Kosovo_Police rreth përditësimeve më të fundit zyrtare në këtë drejtim.
Kryeministri Albin Kurti tha se bllokimi i qytetarëve në kufirin e Serbisë është shkelje flagrante e të drejtave të njeriut.
“Një ditë pas votimit në favor të anëtarësimit të Kosovës në Këshill të Evropës, Serbia hakmerret ndaj civilëve kosovarë. Që nga mëngjesi i sotëm, mbi 300 shtetas tanë – përfshirë fëmijë – janë ndaluar arbitrarisht në kufij, janë privuar nga ushqimi dhe medikamentet. Shkelje flagrante e të drejtave të njeriut”, tha Kurti.
Pas informacionit për bllokim të udhëtarëve kosovarë, ka reaguar edhe Bashkimi Evropian duke vlerësuar se Serbia është duke bërë shkelje të marrëveshjes për lirinë e lëvizjes
”Ne jemi në dijeni për situatën dhe po e përcjellim për së afërmi. Marrëveshja për lirinë e lëvizjes e arritur në kuadër të dialogut të lehtësuar nga BE-ja, cakton parametrat e qartë rreth hyrjes dhe daljes së qytetarëve të Kosovës në dhe nga Serbia. Situata momentale paraqet shkelje të kësaj marrëveshjeje”, tha Stano.
Qytetarët e Kosovës të cilët po udhëtonin nga Evropa për në Kosovë dhe anasjelltas u lejuan të kalojnë nëpër pikat kufitare të Serbisë pas orës 15:00
Gjatë ditës Ministria e Punëve të Jashtme iu bëri thirrje qytetarëve që të evitojnë pikë kalimet kufitare me Serbinë.