Në kujtim të marsit të Jasharajve 1998

05 mars 2019 | 15:29

Bujar Dugolli

Pas rënies heroike të komandantit të UÇK-së, Adem Jashari dhe shumicës së familjes së tij, mobilizimi i rinisë për ta përkrahur UÇK-në dhe për të luftuar kundër forcave serbe ishte i shprehur si asnjëherë më parë. Pra, selitë e organizatës sonë u shndërruan në pika rekrutimi për luftëtarët e rinj të UÇK-së të cilëve u jepnim instruksione për t’u takuar me njerëz tanë që vepronin në kuadër të UÇK-së, kryesisht në Zonën Operative të Drenicës dhe të atë të Llapit.

Në rrethana të paparashikueshme, ne atë kohë ne e mbajtëm edhe demonstratën e paralajmëruar që moti. Duke parë zhvillimet në Kosovë, posaçërisht në vatrat e luftimeve ne Drenicë, më 8 mars 1998, UPSUP, përkatësisht Këshilli Organizativ i Protestave të UP-së në bashkëpunim me Këshillin Koordinues të Partive Politike në Prishtinë që udhëhiqej nga Isa Kastrati dhe Bashkimin e Sindikatave të Pavarura të Kosovës u vendos që më 9 mars 1998 të organizohet një protestë gjithëpopullore me moton “Për paqe – kundër dhunës dhe terrorit serb”.

Protestat ishin të parapara të mbaheshin të qeta që të demonstrohej edhe një herë vullneti i qytetarëve të Kosovë për liri dhe pavarësi dhe të ketë solidarizim me rezistencën e UÇK-së dhe viktimave civile që binin për ditë në Drenicë. Ashtu siç ishte paraparë më 9 mars, në orën 11.00, Prishtina ushtonte nga brohoritjet e popullit, duke u solidarizuar me Drenicën, me familjen Jashari e cila u masakrua nga forcat serbe.

Në Këshillin Organizativ të Protestave e kishim paraparë më herët, që të mbahej një protestë edhe më 13 mars 1998. Kësaj radhe, këtë miting protestues e mbajtëm në lagjen Arbëria (ish-Dragodani). Me gjithë rrethanat e krijuara erdhën më shumë se 150 mijë veta ne protestë. Hapësira e lagjes nuk kishte vend për të gjithë ata që dëshironin të shprehin mllefin e tyre. Të gjithë ishin të gatshëm për rezistencë dhe çfarëdolloj sakrifice.

Përpara protestuesve, përpara popullit dhe opinionit ndërkombëtar, mbajta një fjalim, ku e vura theksin te dhuna dhe terrori që po zhvillonte në Kosovë, regjimi serb, por e vura theksin edhe te fakti se, shqiptarët nuk ishin terroristë, e as Ushtria Çlirimtare e Kosovës, nuk ishte ushtri terroriste, siç kishin deklaruar autoritetet serbe dhe ndonjëherë edhe ndonjë diplomat ndërkombëtar. Protesta e 13 marsit 1998 konsiderohet se ishte më masivja në historinë e protestave dhe demonstratave në Kosovë. UPSUP, në bashkëpunim me subjektet e tjera ishte pajtuar që para masës protestuese të flisja vetëm unë.

Fjalimi qe kam mbajtur para 21 viteve të cilin po e ndej me ju ne kujtim të ngjarjeve të marsit 1998 përmbante këtë mesazh:

Të dashur pjesëmarrës, studentë, profesorë dhe qytetarë të Prishtinës, të dashur miq të kombit tim:

Edhe kjo protestë e organizuar dhe e mbajtur bashkërisht, dhe në unitet të pathyeshëm të të gjithëve, si edhe protestat e tjera të mbajtura anë e kënd Kosovës, kësaj radhe i drejtohemi Drenicës, martire për krimet barbare që ia shkaktoi okupatori serbë, duke i përgjakur ata dhe duke marrë jetëra njerëzish, madje edhe jetën e atyre që sa kishin zënë të rriten për të ardhmen e Drenicës, të Kosovës dhe të kombit tonë. Por gjaku thonë, nuk thahet dhe as nuk tretet, sidomos kur ai derdhet nga armiku në mënyrën më barbare dhe më çnjerëzore!

Ai, do të qëndrojë në Drenicë dhe mbi Drenicë, në Kosovë dhe mbi Kosovë, dhe do të flas për ne dhe për të tjerët, për vendin dhe kohën, dhe gjithmonë do të jetë vërejtje për masakrat të cilave u nënshtrohet ky vend nga bishat e njëjta mesjetare, dhe gjithmonë do të prekë ndërgjegjen tonë, të vendit dhe të kohës, dhe gjithmonë do të jetë pjesë e kujtesës sonë historike, dhe do të rrijë si zë që thërret zemrën, mendjen dhe ndërgjegjen tonë për një rizgjim përfundimtar dhe për një vendosmëri, për të vendosur për vetën tonë. Është vërtetë koha, dhe janë thirrjet e fundit që të mësojmë nga historia dhe të mësohemi se, si duhet krijuar të ardhmen tonë.

Kjo protestë, njëherit është zë i fuqishëm dhe i vendosur, i adresuar Bashkësisë Ndërkombëtare dhe të gjithë atyre që vendosin ta zgjojnë ndërgjegjen se, Drenica e masakruar dhe Kosova e okupuar dhe e shtypur nga regjimi barbar serb, kanë pritur dhe e kanë merituar përkrahjen e drejtë dhe marrjen e vendimeve të drejta, të vendosura, afatshkurtra dhe afatgjata në zgjidhjen e problemit të Drenicës, dhe të statusit të Kosovës.

Me vendimet e Grupit të Kontaktit, regjimi barbar dhe kriminal serbë nuk e mori dënimin dhe ndëshkimin e merituar për masakrën barbare që bëri në Drenicë, për gjenocidin, diskriminimin dhe etnocidin që e ushtron në Kosovë, për shkeljen më brutale të lirive dhe të të drejtave të shqiptarëve, për përpjekjen për të mbajtur mesjetën në Kosovë edhe në fund të shekullit XX-të, dhe në fillim të shekullit XXI.

Vendimet e Grupit të Kontaktit, të thuash, i adresohen njësoj: si vrasësit kriminelë serbë, si të vrarit-viktimës së pafajshme shqiptare që, vetëm me gjakun e tij mund t’u rrijë përballë barbarisë serbë për të mbrojtur pragun e shtëpisë që, është i paprekshëm për të mbrojtur moralin, nderin dhe dinjitetin e tij njerëzor, për të mbrojtur të drejtat e tij natyrore për të jetuar e gëzuar lirinë, siç e kanë dhe e gëzojnë të gjithë. Vetëmbrojtja është e drejtë natyrore dhe e garantuar: ta ushtrosh atë në përballje me okupuesin barbar, s’ka asgjë të përbashkët me terrorizmin. Drenica, nuk është terroriste !

Është e padrejtë dhe e paqëndrueshme të barazosh vetëmbrojtjen individuale ose kolektive, me terrorizmin shtetëror që ushtron në Kosovë regjimi serbë. Është vërtetë jo e drejtë dhe e paqëndrueshme që, me rastin e tragjedisë në Drenicë të prejudikohet zgjidhja e statusit të Kosovës dhe të shqiptarëve që kërkojnë vetëm aq sa kanë popujt e tjerë: të drejtën për të fituar lirinë, dhe për të vetëvendosur.

Të gjithë popujve u garantohet e drejta për vetëvendosje. Pse kjo e drejtë natyrore, u mohohet shqiptarëve ? Për çfarë dialogu, atëherë mund të bëhet fjalë ? Për dialog të kushtëzuar, cinik, arrogant e fyes që ofron delegacioni serbë, i cili defilon nëpër Prishtinë si ekspeditë ndëshkuese, pa e vrarë ndërgjegjja për masakrat qe i bën në Drenicë dhe Kosovë.

Jo! Fatkeqësisht, Grupi i Kontaktit nuk e ka mbrojtur dhe nuk e ka garantuar dialogun e barabartë dhe pa kushtëzime. Pa të, s’ka dialog. Dialogu mund të bëhet vetëm mbi bazën e të drejtës natyrore të shqiptarëve për vetëvendosje, dhe pavarësi.

Të dashur pjesëmarrës!

Nga ky zë i fuqishëm popullor, kërkojmë nga Grupi i Kontaktit dhe Bashkësia Ndërkombëtare, që për hir të paqes dhe të sigurisë në rajon dhe Evropë, që çështjen e statusit të Kosovë dhe të shqiptarëve ta marrin me seriozitetin më të madh, Kërkojmë që të ndëshkohet regjimi serb në mënyrën më të rreptë për krimin në Drenicë dhe gjenocidin në Kosovë, Kërkojmë menjëherë heqjen e shtetrrethimit në Drenicë dhe në Kosovë, Kërkojmë demilitarizimin e Kosovës dhe tërheqjen e njësive që e kanë mbuluar Kosovën, Kërkojmë që shqiptarëve t’u njihet e drejta për shprehje të lirë të vullnetit për të vetëvendosur për vetën, dhe për të ardhmen e tyre.

Në fund, i drejtohemi edhe njëherë Drenicës: Jemi me ju.

Të nderuar pjesëmarrës ju falënderojmë që keni marrë pjesë në mënyrë kaq dinjitoze, dhe madhështore. Mirupafshim në tubime të tjera, po kështu të vendosur dhe me ndërgjegje të zgjuar.

(Arkivi i UPSUP-së, fjalimi i mbajtur para demonstruesve, më 13 mars 1998, në Prishtinë). Për më shume shih librin: 1 TETORI I KTHESËS Lëvizja studentore 1997- 1999, Universiteti i Prishtinës, Prishtinë 2013.

Lavdi dëshmorëve të kombit!

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Muhamet Mavraj, redaktor i librit Të tjerët mund të mos…