Në kujtim të pavdekësisë të Komandantit legjendar Adem Jashari dhe Familjes Jashari
Shkruan: Ibrahim Gashi
Jemi sot këtu pas 21 vjetësh nga qëndresa heroike, e veçantë dhe e pashembullt e Adem Jasharit dhe nga akti sublim i një familjeje të tërë. Ngjarja që ndodhi, që tashmë është e njohur nga të gjithë, ishte diçka përtej asaj që mund të imagjinohej, përtej reales, ishte një legjendë, prandaj pati efektin e menjëhershëm, ndezi mijëra e mijëra zemra, duke i dhënë popullit të Kosovës besimin se liria mund të arrihej nëse për të luftohej me vetëmohim, ndërsa botës i dha mesazhin se shqiptarët nuk mund të qëndronin edhe më tej të shtypur e të maltretuar, në mbyllje të shekullit XX, kur Evropa po mburrej për standardët e larta të respektimit të drejtave të njeriut, të lirisë e të demokracisë.
Adem Jashari, gjithë familjet Jashari, kontribuuan përtej çdo pritjeje, për të forcuar besimin dhe bashkimin mbarëkombëtar, duke vitalizuar dhe rritur Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës. Flijimi i Jasharajve i dha Kosovës me mijëra çlirimtarë të cilët do të jen të aftë që të bindnin botën për drejtësinë e luftës së tyre dhe të ndërgjegjësojnë faktorin ushtarak ndërkombëtar për të mbështetur këtë luftë të drejtë deri në fitoren e plotë, çlirimin e Kosovës.
Nëse i referohemi një trajektore historike, që nga viti 1991 deri më 1998, Prekazi dhe Drenica survijoheshin parreshtur nga organet policore dhe nga forcat paramilitare serbe. Synimi ishte vrasja e komandantit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Adem Jashari dhe familjes së tij, për të shuar dhe shtypur rezistencën që familja Jashari me në krye Ademin e Hamzën po ia bënin regjimit të Sllobodan Millosheviqit.
Ngjarjet dramatike, të hapëta, kundër familjes Jashari kishin filluar më datën 30 dhjetor të vitit 1991, me ç’rast familja e Jasharëve rrethohet nga forcat policore dhe ushtarake serbe. Tre vëllezërit Jashari: Ademi, Rifati dhe Hamza nuk pranuan tu dorëzoheshin kriminelëve serbë, por iu kundërpërgjigjën me zjarr, duke çarë rrethimin, ku lanë dhjetëra ushtarë dhe policë serb të plagosur.
Rrethimi i dytë i familjes Jashari u bë më 22 janar të vitit 1998. Forcat serbe sulmuan familjen Jashari. Edhe këtij sulmi Jasharet, burra, gra dhe fëmijë, i rezistuan. Megjithatë, në këtë betejë që zgjati afër 30 minuta, të plagosura mbeten Iliriana, vajza e Rifat Jasharit dhe Selvetja, vajza e Hamzë Jasharit, që ishin në mbështetje të luftëtarëve të Jasharëve.
Pas kësaj beteje dhe vrasjes së një punëtori shqiptar afër fabrikës së municionit dhe një zyrtari serb, do të shkruaj studiuesi Stephan Schëartz, ora e luftës në Drenicë po binte. Forcat serbe kryen ekzekutime dhe masakrime te grupeve të civilëve shqiptarë, në Likoshan afër Drenasit dhe në Qirez të Skenderajt më 28 shkurt. Këto katunde vazhdon Schëartz u sulmuan mbi 24 pa ndërpre me operacione të kombinuara, por edhe një numër policësh, paramilitarësh dhe ushtarësh serbë pësoi në to. Në shenjë hakmarrje familjes Ahmeti ju vranë të gjithë meshkujt deri në një. Edhe studiuesi dhe gazetari i njohur britanik Tim Juda në librin e tij “Kosova luftë dhe hakmarrje” shkruan se pjesëtaret e UÇK-së kishin shpëtuar të gjithë por policet serb pasi lanë shumë të vrarë e kuptuan se tani me duhej të ndryshonin taktikë. Duhej të ndërmerrnin një sulm të gjerë kundër familjes së Adem Jsharit.
Sulmi filloi herët në mëngjesin e 5 marsit. Për tri ditë rresht, më 5, 6 dhe 7 mars, familja heroike me në krye komandantin legjendar – Adem Jasharin u bëri ballë sulmeve të pareshtura të makinerisë serbe. Familja Jashari këtë herë do të qëndronte për jetë a vdekje. Shpëtuan nga kjo betejë vetëm Besarta dhe Bashkimi. Ndërsa nuk ndodheshin në shtëpi, bacë Rifati, Murati, Bekimi dhe Lulzimi që gjendeshin në emigracion, si dhe Iliriana, Shqipja, Marigona dhe Fazliu, të cilët një ditë më parë kishin shkuar në Okrashticë. Adem Jashari me familjen para se të vriteshin i kishin dhënë besën njëri – tjetrit se, të gjithë do të luftonin deri në vdekje për çlirimin e vendit. Para se të vritej komandanti Adem Jashari kishte deklaruar: “Nuk do të dorëzohem për së gjalli, vrastarët nuk do të kalojnë veçse mbi trupin tim të vdekur”.
Duke e parë dhe dëgjuar këtë histori trimërie dhe përkushtimi atdhetar vetëmohues deri në vetëflijim të një komandanti dhe të një familjeje të tërë, narracioni ka fituar një dimension tjetër. Sot Adem Jashari është emri më i pranishëm në opinion shqiptar, është edhe personaliteti më i pranueshëm i periudhës së zhvillimeve më të reja historike që sollën ndryshime rrënjësore në jetën tonë. Emri që u bë sinonim i luftës çlirimtare të shqiptarëve në Kosovë e në vise të tjera etnike, ku u shënuan përpjekje të këtilla. Me një fjalë, Adem Jashari është përfaqësuesi më i denjë i luftëtarëve kundër robërisë, përfaqësuesi emblematik i mijëra dëshmorëve të lirisë, i sakrificës më madhore të një udhëheqësi të luftës çlirimtare, madje kundruar edhe në përmasa përtej kombëtare. Për këtë arsye gjithçka që ka të bëjë me Adem Jasharin, biografinë, veprimtarinë dhe jehonën e aktit të tij madhor, është bërë objekt i shqyrtimeve në shkrime të karakterit të ndryshëm historik, publicistik, eseistik, letrar dhe një krijimtari e tërë po i kushtohet veprës së tij.
Studiues eminent heroizmin e Jasharajve e trajtojnë si fenomen i cili ndihmon për studimin e nacionalizmit nga “një perspektivë e një ngjarjeje”,[eventfulness of nationalism] siç e ka definuar sociologu shumë i njohur amerikan Rogers Brubaker. Masakra e Prekazit na ofroi një mundësi unik për të kuptuar marrëdhënien midis kujtesës, historisë dhe kombit, ashtu siç përjetohet dhe negociohet. Studiuesja Ana de Lellio do të shkruaj “Jasharet u vranë dhe, edhe pse ka pasur fëmijë mes tyre nuk konsiderohen viktima, por heronj që nuk pranojnë të dorëzohen. Ata janë konsideruar ‘dëshmorë të kombit’ … ata dëshmojnë me martirizimin e vet se kombi ekziston. Komandanti Legjendari është figurë mitike sepse ai lidh brezat e kaluar dhe të ardhshëm me kombin.”
Adem Jashari identifikohet lehtë nga figurat e tjera heroike vendore; ai është mishërim i imazhit të “patriotit të vërtetë shqiptar”. Në një mënyrë fare moderne, ai e kishte ndërtuar veten si figurë legjendare. Thuhet se stili i tij ishte ai i kryengritësit kundër osmanëve, Çerçiz Topullit. Nga bashkëluftëtarët përshkruhet fjalë pak, por edhe kur fliste përdorte fjali teatrale si në fjalimin mbajtur para shokëve të tij pas sulmit policor në Likoshan: “ju sot jeni plagosur që ne të jemi nesër të lirë.”
Thënia e filozofit të madh gjerman Hegel se: Liria e një populli merr kuptimin e vërtetë, vetëm kur njeriu tregon se është i gatshëm të vdes për të” u provua më rastin e luftës çlirimtare të Kosovës. Vërtetësinë e kësaj thënie profetike e vulosën më aktin e tyre të vetëflijimit Adem Jashari, familja Jashari dhe mijëra dëshmorë dhe martirë anë e kënd Kosovës.