Në kujtim të përjetshëm dhe falënderues për Presidentin, Martti Ahtisaari
Me dhembje të madhe mora lajmin për vdekjen e presidentit Martti Ahtisaari Lajmi për vdekjen, është rast i veçuar i kujtimit dhe falënderimit përjetësisht për presidentin Ahtisaari, me të cilën punuam bashkë në procesin e bisedimeve në Vjenë.
Mendimi im dhe i gjithë popullit të Kosovës sot i përkushtohet kujtimit të vlerave të këtij kolosi të politikës dhe diplomacisë kulmore botërore.
Kam shumë kujtime nga takimet me presidentin Ahtisaari, Emisarin Special të Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së, diplomatin, që luajti rol kyç në procesin e bisedimeve në Vjenë. Këto bisedime hapën rrugën për shpalljen e Pavarësisë nga Kuvendi i Kosovës, më 17 shkurt 2008.
Janë të paharrueshme bisedimet e Vjenës 2006-2007 dhe veçmas takimet me Emisarin Special të Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së, laureatin e shumë shpërblimeve dhe të dekoratave në mesin e të cilave edhe të Çmimit Nobel për Paqe, Presidentin e Finlandës Martti Ahtisaari.
Kisha njohuri edhe më parë për aftësitë e tij prej burrështetasi të mençur dhe diplomati të kalibrit të rrallë. Përveç udhëheqjes së suksesshme të vendit të tij, ai do të dallohet me rolin si i deleguar special në misione të ndryshme ndërkombëtare.
I veçantë ka qenë edhe angazhimi lidhur me Kosovën në takimet me Millosheviqin. I qartë, i prerë dhe pa dilemë, sikur edhe misionarët amerikanë Ollbrajt, Hollbruck dhe Komandanti i NATO-së Wesley K. Clark. Millosheviqit i kishte treguar se ai duhet të heqë dorë nga dhuna dhe terrori në Kosovë, në të kundërtën do të bartë pasoja të rënda ai dhe vendi i tij .
Në përgatitje të rifillimit të bisedimeve, Martti Ahtisaari, bashkë me anëtarë të ekipit të tij, për pak ditë erdhi në Prishtinë. Saktësisht me 1 mars 2006. Biseda qe jashtëzakonisht përmbajtësore dhe e pa rezerva.
Kryetema, bisedimet. Presidenti Ahtisaari në disa pika themelore e shtroi idenë e tij lidhur me to si dhe dinamikën që ai e mendonte për të përmbyllur procesin e bisedimeve në afat optimal. E dija se i njihte zhvillimet në Kosovë e sidomos ato që i kishim përjetuar deri me intervenimin ndërkombëtar.
Në takim shtrova qëllimet themelore që i kishim si vend dhe si popull, duke filluar nga realizimi i plotë i lirisë së Kosovës me pavarësinë, përkatësisht bërjen shtet i pavarur dhe sovran, si dhe zotimin tonë për ndërtimin e një Kosove të pavarur që do të jetë garant i respektimit të të drejtave dhe lirive të qytetarëve, pra edhe të pjesëtarëve të komuniteteve pakicë, në përputhje me standardet ndërkombëtare. Si dhe, orientimet tona themelore në politikën e jashtme, duke filluar nga fqinjësia e mirë me vendet përreth nesh, po edhe nevojën e integrimit si vend i pavarur në institucionet ndërkombëtare.
Dua të përmendi se që në nëntor të vitit 2005 Delegacioni i Kosovës kishte miratuar Dokumentin për Martti Ahtisaarin, Emisarin Special të Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së për Statusin final të Kosovës. Në atë Dokument, që në fillim shprehen “Qëndrimet e Delegacionit të Kosovës të mbështetura në Rezolutën e Kuvendit të Kosovës për Rikonfirmimin e Vullnetit Politik të Popullit të Kosovës shtet të pavarur dhe Sovran, miratuar më 17 Nëntor 2005.
Presidenti Ahtisaari, që në takimin e parë, përcolli me shumë vëmendje mendimet e mia. Ai në fakt qëndrimet e Delegacionit të Kosovës i kishte të njohura nga takimet e fillimit edhe me Presidentin Rugova. Nga ato qëndrime nuk kishte asnjë lëvizje as në fazat e mëvonshme kur edhe filloi procesi aktiv i bisedimeve.
Presidentit Ahtisaari i patëm dorëzuar edhe një dokument (përgjigje në një varg pyetjesh) me të cilin shprehnim pikëpamjet tona. Aty ishin përmbledhur çështjet për “Mbrojtjen ligjore të të drejtave” ku jepeshin garancitë tona për mbrojtjen e lirive dhe të të drejtave individuale dhe ato të qytetarëve. Në secilin nga komunikimet e kemi bërë të qartë se e gjithë kjo nënkupton opsionin tonë themelor dhe të panegociueshëm: Pavarësia e Kosovës.
Përveç bisedës për temën bosht, pra bisedimet lidhur me statusin politik të Kosovës, për të cilën pa fije dyshimi e besoja se është thellësisht dhe shumë sinqerisht i angazhuar, presidenti Ahtisaari m’u drejtua hapur, përafërsisht më këto fjalë: “ Z. President, unë e kam pranuar këtë angazhim nga Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së me përkushtimin më të madh, andaj edhe nuk kam kohë për të humbur. Qëllimi im është që të përfundojmë këtë proces si duhet”. Me fjalë të tjera, mesazhi i tij ishte që të shpejtohet procesi i bisedimeve, për çka realisht edhe ne ishim të interesuar.
Pas përfundimit të takimit, e përcolla deri në dalje të ndërtesës së Kuvendit të Kosovës. Ai mu drejtua: “Jam i bindur se edhe ju do t’ia dilni…”. Ishte kjo një mbështetje e madhe për popullin dhe vendin që kish hyrë dhe po bënte hapat final për pavarësinë.
Ne ia dolëm, pikërisht duke pasur edhe mbështetjen e pakursyer të promotorit, Martti Ahtisaari, Emisarit Special të Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së, që drejtoi bisedimet finale për Kosovën shtet i Pavarur dhe Sovran, shpallur nga Kuvendi i Kosovës, më 17 në shkurt 2008.
Ngushëllime për familjen, popullin finlandez, për miqtë, por edhe vendin tim, Kosovën.
Ju faleminderit përjetësisht, President Ahtisaari!
Dr. Fatmir Sejdiu
Presidenti i Republikës së Kosovës,
2006-2010