Në KultPlus Caffe Gallery hapet ekspozita ‘Leka’, artistja Fitore Syla sjell lekat në një format artistik ndriçues
Në KultPlus Caffe Gallery të hënën në mbrëmje para shumë musafirëve është hapur një ekspozitë e veçantë nga artistja dhe dizajnerja Fitore Syla, duke sjellë në llampa ndriçimi lekat (pocërrkat) të cilat janë përdorur në të kaluarën në familjet shqiptare.
Kjo prurje e re artistike vjen si gërshetim i tradicionales me modernen, duke sjellë një format mjaft të veçantë të ekspozitës me një eco-design, plotë ngjyra dhe ngrohtësi.
Nën ndriçimin e lekave artistike, në mesin e shumë miqve dhe familjarëve të artistes Syla, ceremonia u shpall e hapur nga drejtoresha e mediumit KultPlus Ardianë Pajaziti, e cila tha se ndihej e mrekulluar për këtë ekspozitë shumë më të veçantë nga ato që zakonisht ekspozohen në galerinë e saj.
“Të sjellim produktin e natyrës brenda një galerie për ne është hera e parë. Kjo ka ardhur nëpërmjet idesë së Fitores, e cila e ndërlidh edhe trashëgiminë tonë ndër vite qysh prej gjysheve e nënave tona, sepse në të kaluarën leka është përdorur për larje dhe për efekte shëruese”, ka thënë drejtoresha Pajaziti.
Kurse, artisti Zeni Ballazhi ekspozitën e ka cilësuar si të veçantë duke i krahasuar objektet e ekspozuara me personazhe, për shkak të shumëllojshmërisë dhe ndryshueshmërisë së tyre.
“Artistja na ka sjellë një ekspozitë mjaftë të veçantë, duke u nisur nga objektet apo personazhet, sepse mua po më duken si personazhe të ndryshme pasi që asnjëra nuk është e njëjtë. Mënyra e prezantimit të tyre është tepër e veçantë, ashtu siç është edhe vetë artistja në këtë rast”, ka thënë artisti Balazhi.
Më tej, ai e ka përgëzuar artisten Syla për këtë gjetje unike sipas tij, e cila ngërthen elementin e së bukurës dhe të vërtetës.
“Në këtë rast Fitorja me këto punime tregon që përveç objektit të gatshëm (nga natyra) të transformuar në një objekt ndryshe, siç janë llampat, e pastaj duke e kthyer në një ekspozitë, në të cilën ne shohim qoftë edhe personazhe, apo zbulojmë diçka më shumë se sa ajo e përditshmja, mund të themi që kjo lloj ekspozite i posedon edhe të bukurën edhe të vërtetën”, ka thënë artisti Ballazhi duke e përgëzuar edhe drejtoreshën e Galerisë KultPlus e cila u ka ofruar artistëve një ambient shumë të ngrohtë.
“Fitores i uroj suksese, krijimtari të gjatë, në këtë hulumtim që nuk është i rastësishëm. Besoj që është një hulumtim edhe më i thellë se kaq, në aspektin historik dhe tradicional. Në aspekt tradicional shohim që këto nuk janë të rastësishme, në këtë rast të kthyera në një kreaturë mjaftë bashkëkohore moderne siç i shohim sot. Unë besoj që këto do të rrugëtojnë jo vetëm në Kosovë, por edhe në arenën ndërkombëtare”, ka thënë Ballazhi.
Ndërsa, vetë artistja Syla nën emocione të shumta e ka treguar edhe lidhshmërinë që kanë lekat me të, familjen e saj dhe fshatin e saj të lindjes, Bresalc të Gjilanit.
“Është pak emocionuese sepse si produkt më shumë lidhet me anën familjare, emocionale se sa edhe me anën vizuele, edhe pse njerëzit mund ta shohin në këtë formë. Por, si storje qëndron te familja ime me vetë faktin që ne e kemi pasur një lidhshmëri me fshatin, e cila na ka sjellë deri te vlerat që ne i kemi kultivuar ndër vite ndaj punës, punës në fushë, në Prishtinë, shkollës, dijes, dhe kulturës”, ka thënë artistja Syla.
Ideja për të krijuar Leka ndriçuese artistes Syla i ka ardhur si pasojë e punës së saj në fushën e dizajnit.
“Jam edhe dizajnere enterieri me profesion. Ndoshta ka qenë momenti i duhur që ka ardhur si produkti i parë në fokusin tim, dhe si i tillë ka për të qenë edhe në vazhdim. Është më i veçanti, por që i ndërlidh të gjitha elementet që unë si dizajnere dua t’i kem tash e tutje. Është një produkt që në të kaluarën është përdorur për tu larë, e që ka pasur edhe efekte shëndetësore pozitive. Në kulturën tonë lekat datojnë që janë shumë të lashta, të cilat familja jonë i ka pasur gjithmonë si dekore në shtëpi”, ka thënë Syla.
Ideja për të sjellë leka ndriçuese, ka qenë e lidhur edhe me dëshirën e saj për të krijuar diçka që lidhet me kulturën dhe historinë e vendit.
“Leka është gjetja e duhur dhe e nevojshme për çka më është dashur mua, pas tërë këtyre viteve përvojë që kam bërë. Besoj që edhe të tjerët e kanë mirëpritur. I ka vetëm gjashtë muaj që është lansuar. Është diçka me të cilën unë vazhdimisht jam duke punuar, pasi lejon të provosh dhe të eksperimentosh me të sepse si produkt po e prekë secilin. Është diçka që e ka krijuar edhe debat në shoqëri. Njerëzit kanë filluar të tregojnë histori të ndryshme se si janë larë prej gjysheve ose stërgjysheve të tyre me të. Në një farë forme e ka krijuar një koncept interesant në fushën e artit por gjithashtu edhe për mua si Fitore”, ka përfunduar artistja Syla.
Ekspozita do të qëndrojë e hapur për dy javë, dhe lekat të cilat janë të ekspozuara në KultPlus Caffe Gallery janë në shitje.