NË KURTHIN E FOLKLORIT

09 prill 2023 | 18:35

Ese

Ismail SYLA

Fjala kurth shënjon mjetin e bërë nga njeriu, i cili vendoset diku për të rënë në të qenie të gjalla. Theksi i kurthit në këtë ese bie tek emri prejfoljor rënie, që rrjedh nga folja bie. Rënie në kurth, në luftë, në dashuri, në provim etj. Zënia në kurthin e folklorit do të thotë të kesh rënë në aparatin e tij kapës dhe shtrëngues, të mos mund të lëvizësh, sepse goja shtrënguese e kurthit nuk të lëshon pa përpjekje duarsh dhe këmbësh që të lirohesh, dalje që nënkupton mund dhe njohje të natyrës së kurthit, si kusht për t’u liruar nga ai. Madje të kërkosh ndihmë nga jashtë, nga veglëria e dijes së grumbulluar njerëzore.

Në këtë ese trajtohen tri motive mbresëlënëse nga anekdotat, përrallat dhe nga një gojëdhënë shqiptare: huqja (e tipit gjahu në breg e qëllon në kodër) rrjedha (loti pa lëng, loti filozofik) dhe testimi përmes sprovave (sprovimi).

HUQJA

Gjetje antologjike për huqjen, për të mos ia qëlluar asaj që synon, për të mos goditur aty ku duhet, për të mos qenë në gjënë e duhur, për të dalë përtej nga diçka që është e saktë dhe reale, proza popullore ofron me dhjetëra e dhjetëra shembuj. Tri huqje që nuk të lënë t’i kalosh me shpërfillje janë ajo për melodinë e kavallit, për mosnjohjen e orës dhe për kotësinë e grindjes për pronën e huaj.

“Kanga me kavall nuk kryhet kurrë” (A.Ç. “Prozë popullore nga e Drenicës, 2) përmes dialogut të thjeshtë të dy personave nxjerr në dritë të fortë huqjen e atij që recepton melodinë, mekamin, dhe ekzekutuesit të melodisë me kavall. Personi që dëgjon melodinë, shijuesi i saj, ka një kufizim të mbitheksuar edukimi, por atij nuk i mungon nervi ndaj artit muzikor. Kulmi i huqjes arrin te njëjtësim i këngës dhe melodisë. Tingulli i kavallit është i ngrohtë, melankolik dhe i këndshëm, instrument baritor, me tre çelësa, të lartë, të mesëm dhe të ulët dhe luan me dy oktava e një të pestën kromatike. Duke qenë bosht druri ose metali, i zbrazët, me shtatë vrima plus një, vrima e djallit – sipas legjendës, kavalli nxjerr melodi të këndshme, me lartësi të kufizuar zëri. Ai e rrëmben dëgjuesin e anekdotës deri në atë shkallë, sa veshi i tij nuk do që të shkëputet prej melodisë. Huqja anekodotike ndodh në këtë shkëmbim fjalësh: “Allahile, mos e le teri sa ta kryejsh qat kangë”, thotë receptuesi, të cilit ekzekutuesi i përgjigjet: “O plak, kanga në kavall nui kryhet kurr.”, duke sqaruar keqkuptimin e ngatërrimit të melodisë (mekamit) së këngës dhe tekstit të saj. Melodia nuk harxhohet, përkundër tekstit që ka një fillim e mbarim, qoftë në këngë lirike, qoftë në ato epike.

Anekdota “Boll i mirë tek â, me shnet e bajsh”, e mbledhur në Vushtrri (IAP, Anrkdota, I), është shembull i përkryer i injorancës së dyfishtë. Pronari i orës së xhepit me zinxhirë, qostek, nuk e njeh orën, po ashtu si tjetri që e pyet se sa është ora. Padijeni dyfishe. E përkryer. Edhe njëri edhe tjetri dalin nga situata e sikletshme, nga bezdia e ndërsjellë, duke kamufluar padijeninë. Nënkuptimi i kësaj padijenie arrin shpërfaqje reciproke, të barasvlershme. “Qe, merre kqyre vet”, i thotë pronari, duke ia lënë në dorë orën e xhepit. Ai e merr, e shikon, i sheh akrepat që lëvizin, por nuk di t’i lexojë numrat, ndaj përgjigjet duke ecur mbi sipërfaqen e paditurisë: “Qe, merre sahatin, boll i mirë tek â’ e boll mirë po ecka, veç me shnet e bajsh!”

Anekdota “Uji kah shterret e ju kah myteni n’ta” e mbledhur në Qafë Morinë (IAP, Anekdota II) po ashtu ka në thelb huqjen e madhe midis çifçinjve, bujqve pa tokë, që grinden për pronën e çifligari të tyre. Pleqnari i shquar, Ramadan Shabani, këtu me mbiemër së pari Kieva e së dyti Kosova, qëllon në rajonin Shala së Venit dhe dëgjon grindjen për “tokë t’begut”. Dhënia e përgjigjes nga ai është sa e mençur, aq është edhe metaforë e ndërlikuar. Logos e mimesis së bashku. “- E, more burra! Kâka zor m’i pa ujin kah shterret, e juve kah mytni n’ta.”

Nuk ka mënyrë figurative më të përkryer se kjo gjuhë artistike e mbledhur në kulturën popullore për kotësinë e grindjes, polemikës dhe debatit të huqur. Shterja e ujit në çfarëdo platforme, në bazament pusi, në shtrat lumi, apo edhe në shtrat të liqenit artificial ose natyror, zbritja ngadalë dale e nivelit të ujit shpërfaq fundin, tokën. Shpërfaq thyerjen e kokës në ujin e cekët. Një lloj thyerje koke për muri, por një “mur” horizontal në drejtim të sipërfaqes së ngurtë tokësore, ku uji shteron dhe arrin në pikën zero. Kotësia e mbytjes, e vrasjes së vetvetes për të patjetërsueshmen, për pronën e huaj.

RRJEDHA

Në anekdotën “Mos i përcill të tanë për një dere!” (IAP, Anekdota, I) del në shesh loti filozofik. Derisa alkimistët u përpoqën ta zbulonin “gurin filozofik”, me të cilin metalet do të shndërroheshin në ari, sëmundjet do të shëroheshin etj., pse të mos ketë lot filozofikë, lot të thatë që rrjedhin nga sytë e pleqnarit, Shaip Reshtani, në shenjë nderimi për pleqnarin e shquar që ka ndërruar jetë, për Ramadan Shabanin?

Duke ndjerë dhembje, pleqnarit të vetmuar i rrjedhin dy pika lot, të cilat bëhen shkas komentimi mes të pranishmëve, sepse pritësit nga pleqnari Reshtani presin ngushëllim me fjalë të mençura. Kuptimin e lotëve të tij e ndriçon thjesht ai, por formulimi i tij le mundësi monumentale të interpretimit eseistik. Krahas shtresave kuptimore të anekdotës që prekin rrafshin emocional (pikëllimi, loti) atë verbal (lotin e thatë) si dhe atë udhëzues (këshillimor) për të trajtuar ngushëlluesit sipas rangut të tyre, dy togfjalësha tjerë zgjojnë vëmendje të veçantë: “lot të thatë” dhe “tharje udhe”, që burojnë nga ligjërimi bisedor. “M’ falni që kajta për Ramadanin e i qita dy lot t’ thata se e kam pasë shoq e kemi pleqnue bashkë. Ma ka tha udhën…”

“Loti i thatë” i pleqnarit tejkalon natyrën fiziologjike të lëngut dhe metamorfizohet në lot filozofik. Lot pa lëng. Lot i palëngshëm. Në të shprehur është analog me kollin e thatë, kollin si ngacmim po sekrecion. I thatë. Lot filozofik, lot i humbjes së mikut, bashkëmendimtarit. Kështu, pleqnari ka mbetur i vetmuar, ka mbetur pa mik, si buka thatë, bukë në vetvete, pa ushqim plotësues. Është udhëtar i thatë, që ecën vetë, thatë, pa homologun e tij, pa mundësi takimi fizik me të, pa mundësi të marrjes së udhës me të, të nisjes drejt tij.

Anekdota “Ujt tonë s’ka pas ardh hala”, e mbledhur në Ramoc, Lugi i Drinit, është e barasvlershme më parimin e mendimit heraklitian se “gjithçka rrjedh” dhe se nuk mund të lahesh, apo të shkelësh ose dhe të futesh dy herë në të njëjtin lumë, duke nënkuptuar se rrjedha e ujit që përshkon trupin nuk është statike, por dinamike, ecëse, rrjedhëse. Ndryshimi i ujit e bën që dhe lumi të jetë ndryshues, sepse një shtrat i lumit nuk ka kuptim pa ujin rrjedhës. Duke qenë uji rrjedhës, as shtrati as uji as lumi si tërësi nuk është po ai.

Në këtë anekdotë mysafiri, mençuria dhe durimi, ka mirëkuptim për vonesën e të riut që kishte shkuar të mbushë ujë në kroin e fshatit. Ai vonohet, sepse i riu, si veriu, i bashkohet lojës së moshatarëve. Derisa i zoti i shtëpisë vuan për vonesën e të birit dhe mezi pret momentin e qortimit, në trysninë e skrupullit moral, mysafiri, meqë ka autoritetin e mysafirit, status që ia garanton tradita e mikpritjes shqiptare, merr të drejtën për t’i bërë pyetje teknike djalit të sapoardhur. Pyetjet janë praktike. Uji që sapo solli a ishte mbushur sapo kishte arritur te burimi, apo kur kishte mbaruar loja. Besohet në sinqeritetin e të riut. Në të vërtetë uji në kënatë ishte mbushur pas lojës. Nga pyetje praktike, mysafiri kalon në përgjigje filozofike, duke e arsyetuar të riun: “Mik, – i tha mysafiri t’ zotit t’ shoisë, – mos u ngut se, ata ujt tonë, qi â kanë dashtë me pi na, s’ka pa ardhë hala…”. Kështu mençuria (maturiteti) justifikon vonesa prej gjysmë ore të të riut (shpirtin dhe mendjen juniorë).

Në traditën popullore, kur flitet për kurbetin, burgun, shërbimin ushtarak, përgjithësisht për qëndrimin larg shtëpisë, “pirja e ujit” konsiderohet si i pjesë e fatit të njeriut. Jo buka, e cila mund të transportohet nga njëri kontinent në kontinentin tjetër, po uji që është e shkruar (e parathëna) të pihet është ai elementi që bashkon njësinë e kohës, hapësirës dhe individit.

Anekadota “Kumona shkon kah bylyku i dhenve” e mbledhur në Hade, Rrafsh i Ksosovës, paraqet funksionin e dyfishtë të ziles, të këmborës, e cila sinjalizon online praninë e grigjës, të tufës së deleve. Këmbora, kështu është një lloj GPS (sistemi global i pozicionimit). Ajo ia tregon vendndodhjen në të njëjtën kohë blegtorit, bariut, dhe ujkut, kundër-bariut. Kullotja e deleve në terren ka një rrjedhë. Sa të dobishme, aq edhe të ngathëta, delet, të identifikuara si kafshë shtëpiake kokëshkreta, padyshim që duan bari të zgjuar, për të mos rënë në greminë dhe për t’i ruajtur nga ujku, armiku i tyre organik.

TESTI

Në tri përralla shqipe, mes tjerash, ndodh sprovimi, testimi i identitetit, i karakterit të dobët dhe shpërfaqja e dëshirave, pasioneve të fshehura.

Në përrallën “Dy me hise e nja pa hise”, testohen tre vëllezër, të tre të një nëne, e njëri prej tyri i babait tjetër (i djallit, i së keqes). Kjo përrallë në pjesën e parë ka elemente tipike të këtij zhanri, në pjesën e dytë, të testit, ka elemente të pleqërisë si mbarë-shtrim, si kulturë etnologjike. Burri i përrallës vetëm një herë në vit, vetëm një natë është i dukshëm te gruaja. Nuk jepet shpjegim se ku qëndron dhe përse arratiset. Pas katër nëntësheve magjike lindin fëmijët, (kur u ban nân muej e nân ditë e nân sahat e nân dakika, ja fali zoti djalin). Po kështu ndodh me djalin e dytë. Në rastin e tretë, burri shfaqet një natë para se të mbushen 365 ditë. Në fakt është djalli ai që ka gjetur rrugën deri te gruaja, i maskuar me fytyrë e bashkëshortit të saj. Në mbrëmjen tjetër vjen burri real, tamam sipas saktësisë së mbylljes vjetore të kohës, shfaqje ciklike tri herë radhazi. Ndonëse gruaja i thotë se “ishe k’ëtu nji natë më parë”, burri nuk jep shenja befasie, dyshimi dhe hiqet indiferent. Në anën tjetër porosia që i lë gruas merr notë sqaruese jashtë klishesë. Ai i thotë se më nuk do të shfaqet në krye të vitit vijues. E paralajmëron, si pasojë e shtatzënisë me djallin, nëse lind djali i tretë, ai është i pa hise, për dallim nga vëllezërit të të njëjtëve prindër, që do ta trashëgojnë gjithë pasurinë e familjes.

Në pjesën e dytë atmosfera del nga bota e përrallës. Djemtë rriten dhe duhet ndarë pasuria e trashëguar. Nëna duhet t’ia besojë pleqnarit real, Zeçir agë Rastkocit identifikimin e atij që është pa hise. Pleqnari gjendet para vështirësisë, por atë e ndihmon e bija. Të dhënat folklorike shënojnë disa raste kur e zonja e shtëpisë, plaka e moçme, gruaja në moshë pjekurie, por edhe vajza e re, por e kthjellët arrijnë të pleqërojnë probleme të caktuara. Në shumë raste gruaja përfaqëson mendimi pjellor. Shprehja frazeologjike “mendje femër” është tregues i mendje zgjuarsisë, mendjes krijuese, pjellore, jo shterpe, por kreative.

Në këtë prozë popullore hibride, me elemente përralle dhe pleqnie është pikërisht vajza e pleqnarit ajo që ngre kurthin e testit përmes rrëfimit imagjinar. Babai, si në përralla, qëndron në tavan, derisa vajza bisedon me vëllezërit, si në kuvendin ku ndahet pleqnia. Ajo bën testin moral. U tregon vëllezërve se babai është i zënë me zgjidhjen e disa zënkave në fshat (zënia e të birit me nënën, vjedhja e qeve të zgjedhës ndërmjet vendësish, grindje midis vëllait dhe motrës). Derisa të dy vëllezërit e parë kanë ndjeshmëri humane, dhe kur kuptojnë natyrën e ligë të zënkave shprehin habi dhe mospajtim: ” Hej mo’ zo’ ma keq sa e keqja kanka ba”, vëllai i tretë, pjellë e djallit, për të tri rastet thotë: “Hhe more mos piskatni, kurrgja s’â kanë ajo punë!”, duke u dalluar thelbësisht nga natyra dhe karakteri i dy vëllezërve tjerë. Kështu, me këtë test moral, zbulohet vëllai pa hise, ngjizje dhe krijesë demoniake.

Përralla “Sadriazemi, mbreti dhe e shoqja”, e mbledhur në Gjyrgjevik të Madh, të Llapushës, kurthin e testit e ka të ngritur me mjeshtri të përsosur. Testi i kësaj përralle arrin që në të njëjtën kohë ta shpërfaqë natyrën e fshehtë të pasioneve njerëzore dhe ta neutralizojë rrezikun për jetë. Testi përmbys vdekjen. Të gjitha gjërat e thëna të tre personazheve në një mbarë-shtrim tjetër mund të kushtonin me humbje të jetës, me vdekje. Por, është kriteri, beja, të bërit be se do ta thonë të vërtetën dhe vetëm të vërtetën për dëshirat e fshehta pa u prekur, pa hatër-mbetje. Ky kriter e bën testin interesant. Secili prej tyre, mbreti, veziri i madh dhe mbretëresha e hapin zemrën dhe mendjen, vetëdijen e heshtur, jo nënvetëdijen, por pikërisht atë që në rrethana lirie, do të ishin vetvetja e njëmendtë.

Nën benë e tillë mbreti i gjithëpushtetshëm tregon makutërinë e pafund për ende më shumë pasuri, mall, pushtet. Veziri i madh, lutet në vetvete dhe ëndërron vdekjen e mbretit, që t’ia zërë vendin. Mbretëresha nën barrën e besë, tregon të fshehtën e saj, dëshirën të bëjë dashuri me ushtarët e bukur. Anekdota e ka stisur testin dhe kurthin në atë mënyrë, sa askush nuk pëson nga kjo tejdukshmëri, nga kjo transparencë përrallore

Thënia e të vërtetës si e tillë sjell në vëmendje konstatimin e psikologëve për të dallimin e madh emocional dhe mendor për të ndodhurat në jetën reale dhe për të ndodhurat në botën e ëndrrës. Situata jetësore të ndodhura ëndërr nuk krijojnë konflikt dhe xhelozi. Njeriu ëndërron që vritet nga N.N. por sapo t’i dalë gjumi nuk ndien armiqësi fatale ndaj atij personi, thonë psikologët. “Vrasësi” në ëndërr nuk është vrasës. Sipas këtij interpretimi, as vrasësit as aktorët tjerë (marrëdhënia intime në ëndërr të dikujt të afërt me dikë të huaj) nuk prodhojnë xhelozi dhe faj, kur dilet nga bota e ëndrrës në atë të zhgjëndrrës.

Gojëdhëna “Hej, Zot, mos e hiq xhehnemin” e mbledhur në Sferkë, Llapushë, është ndër më tipiket e testimit, e sprovimit të njeriut që në dukje është stoik, por në thelb është i thyeshëm lehtë, padurueshëm dhe tmerrshëm njëkohësisht. Njeriu që për 70 vjet me radhë lutet me katërë fjalë, “Hej Zot, hiqe xhehnemin”, duke uruar që të zhbëhet institucioni ndëshkues universal i njerëzimit, (në këtë rast një “institucion” religjioz, ferri) për një sekondë, për një traumë, një tundje dhe një prekje të dhunshme nga jashtë, ndërron qind për qind bindjen, lutjen, besimin. Zoti, me fuqinë e tij supreme, përmes të dërguarit të tij, e teston besimtarin njëdimensional. Një shuplakë konkrete fizike e dridh investimin shpirtëror të tij prej 7 dekadash, besimin e njeriut që gjithë kohën është lutur që të zhbëhet ferri. Për një sekondë, lutja prej katër fjalësh përbëhet prej gjashtë fjalësh; “Hej, Zot, mos e hiq, xhennemim””. Kjo zhvendosje e lehtë nga pozicioni i gjatë, zbulon mungesën e horizonteve të besimtarit të cekët njëdrejtimësh, paqëndrueshmërinë, mungesën e peshës rënduese. Njeriu me kaq golle morale shndërrohet në bosht kavalli, i zbrazët dhe pa vrima. Në hiç.

Prishtinë, 9 prill 2023

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kryeshefi Ekzekutiv i Agjencisë së Kosoves për Produkte dhe Paisje…