Në lagjen “Dardania” në Prizren shpërndahen 300 kontejnerë për mbeturina
Komuna e Prizrenit ka bërë me dije se në lagjen “Dardania” ka filluar shpërndarja e rreth 300 kontejnerëve për ndarjen e mbeturinave ricikluese në amvisëri, e cila po realizohet si zgjerim i projektit për ndarjen e mbeturinave të riciklueshme në burim.
Ky projekt, në kuadër të të cilit edhe në lagjen “Ortakoll” ishin vendosur 300 kontejnerë të tillë, realizohet në bashkëpunim në mes të Sektorit të Menaxhimit të Mbeturinave në Komunën e Prizrenit, Zyrës Gjermane për Bashkëpunim Ndërkombëtar (GIZ) dhe organizatës “Green Art Center”.
“Komuna e Prizrenit fton qytetarët që ta mbështesin këtë projekt, ku me hedhjen e mbeturinave ricikluese, siç janë shishet e plastikës dhe kanaqet, do të kontribuojnë në mbrojtjen e mjedisit, ruajtjen e burimeve natyrore dhe reduktimin e ndotjes dhe sasisë së mbeturinave nëpër deponi”, është thënë në njoftimin e Komunës së Prizrenit.
/Epoka e re/