Në liqenet e Batllavës dhe Badocit, niveli i ujit ka rënë për 10 metra
Kompania Rajonale Ujësjellësi “Prishtina” ka njoftuar lidhur me gjendjen e liqeneve akumuluese sipërfaqësore, prej nga furnizohen qytetarët e Prishtinës dhe disa komuna me ujë të pijshëm.
Sipas njoftimit, niveli i ujit në liqenin e Badocit është 640.08 metra mbi nivelin e detit ose 9.77 metra nën kapëderdhje, ndërsa liqeni i Batllavës 624.95 metra mbi nivelin e detit ose minus 10.05 metra.
“Furnizimi me ujë të pijshëm dhe cilësorë është 24 h pa ndërprerë. Ekipet e mirëmbajtjes së rrjetit të ujësjellësit dhe kanalizimit janë në terren nga ora 08.30 deri në orën 22.00, për të sanuar defektet e shkaktuara nga rrjedhjet e ujit dhe zhbllokime të pusetave të ujërave të zeza. Me të filluar vitin 2020, do të ketë përmirësime të vazhdueshme të shërbimeve të ujit e kanalizimit e të tjera, që u ofrohen juve. Ne i monitorojmë vazhdimisht komentet tuaja dhe këtë vit, më shumë se asnjëherë do t’ju ofrojmë cilësi në shërbim”, është thënë në njoftimin e Kompanisë Rajonale Ujësjellësi “Prishtina”.
/Epoka e re/