Në Lituani do të mbahet raundi i dytë i zgjedhjeve presidenciale
Votuesit në Lituani do t’iu drejtohen kutive të votimit sërish pas dy javëve, pasi në raundin e parë të zgjedhjeve presidenciale nuk është përcaktuar fituesi.
Rezultatet preliminare të procesit zgjedhor të 12 majit kanë treguar se Ingrida Simonyte, ligjvënëse dhe ish-ministre e Financave ka fituar 31.13 për qind të votave.
Gitanas Nauseda, një zyrtar bankar, i kthyer në politikan, ka fituar 30.95 për qind të votave.
Kryeministri i qendrës së majtë, Saulius Skvernelis është zotuar se do të japë dorëheqje pasi ka dështuar që të kualifikohet për raundin e dytë zgjedhor.
Në këtë proces zgjedhor kanë marrë pjesë 57 për qind e popullsisë.
Kandidati fitues është dashur të sigurojë më shumë se 50 për qind të votave, në mënyrë që të anashkalojë zgjedhjet e 26 majit.
Fituesi do të zëvendësojë, Dali Grybauskaiten, i cili ka shërbyer dy mandate pesëvjeçare në krye të shtetit të Lituanisë nga viti 2009.
Lituania është shtet baltik në kufi me Rusinë, i anëtarësuar në Bashkimin Evropian dhe në NATO.
Grybauskaite ka qenë kritik i presidentit rus, Vladimir Putin dhe ka bërë thirrje për ndalje të korrupsionit dhe përmirësim të ekonomisë së Lituanisë.
Fushata zgjedhore është dominuar nga zemërimi publik për pabarazi ekonomike dhe korrupsion.
Presidenti i Lituanisë ka fuqi të kufizuar, mirëpo drejton edhe politikën e jashtme dhe është përfaqësues shteti në samitet e BE-së.
Presidenti po ashtu emëron ministrat, gjyqtarët, shefin ushtarak, kreun e bankës qendrore, zakonisht me miratim të parlamentit apo kryeministrit.
Ky shtet, që njihet si aleat i Shteteve të Bashkuara, përballet me marrëdhënie të tensionuara me Rusinë. Në këtë shtet janë arrestuar dhe akuzuar dhjetëra persona në muajt e fundit nën dyshimet për spiunim në Moskë.
Andaj, NATO-ja ka shtuar angazhimin në Evropën Qendrore dhe atë Lindore, duke përfshirë Lituaninë, prej kur Rusia ka aneksuar Krimë nga Ukraina më 2014. /Rel/