Në luftë me kohën për të mbijetuar, thellohet bilanci i tragjedisë në Turqi e Siri, mbi 5 000 të vdekur
Më shumë se 5 200 persona kanë humbur jetën dhe 25 000 të tjerë janë plagosur pasi një nga tërmetet më të fortë ka goditur dje Turqinë dhe Sirinë, ndërsa 5 775 ndërtesa janë shembur.
Tërmeti me magnitudë 7.8 ka goditur pak pas orës 4 të mëngjesit të së hënës me orën lokale, 23 kilometra (14.2 milje) në lindje të Nurdagi, provincën Gaziantep, në një thellësi prej 24.1 kilometrash (14.9 milje), ka thënë Shërbimi Gjeologjik i Shteteve të Bashkuara (USGS).
Nurdagi ndodhet përgjatë kufirit Turqi-Siri dhe tërmeti është ndje në disa vende të rajonit, duke përfshirë Sirinë dhe Libanin. Lëkundjet kanë shkaktuar dëme të mëdha dhe në Hatay, Gaziantep, Adana, Malatya, Osmaniye, Dijarbakır dhe Şanliurfa.
Në Turqi është raportuar për 3 549 të vdekur dhe 11 119 të plagosur, ndërkohë në Siri, 1 712 persona kanë vdekur dhe 1 280 janë plagosur.
Rreth 11 minuta pas goditjes së tërmetit kryesor, pasgoditja më e fortë prej 6.7 ballë ka goditur rreth 32 kilometra (20 milje) në veriperëndim të epiqendrës së tërmetit kryesor. Një tjetër tronditje e fortë me magnitudë 5.6 ka ndodhur 19 minuta pas tërmetit kryesor, ndërsa rreth orës 13:25 dje Turqia është goditur sërish nga një tërmet i fuqishëm me magnitudë 7.5.
Tërmeti ka goditur para agimit të së hënës, kur banorët me siguri ishin në gjumë dhe të papërgatitur për ndikimin.
Autoriteti i Menaxhimit të Fatkeqësive dhe Emergjencave të Turqisë AFAD, ka thënë në përditësimin e tij të fundit se mbi 24 400 personel emergjence janë duke ndihmuar në operacionet e kërkimit dhe shpëtimit.
Ndërkohë kërkimet-shpëtimet janë duke vazhduar edhe në Siri, ku nevojat janë edhe më të mëdha për shkak të mungesës së infrastrukturës.
Pjesa më e madhe e Sirisë veriperëndimore, e cila kufizohet me Turqinë, kontrollohet nga forcat anti-qeveritare në mes të një lufte të përgjakshme civile që ka filluar në vitin 2011. Ndihma ndërkombëtare është duke u dërguar në rajonin e prekur nga OKB-ja, BE-ja, NATO –ja dhe qeveritë e ShBA-së, Britanisë Kinës, Rusisë, Indisë, Japonisë, Irakut, Iranit, Australisë, Zelandës së Re, Greqisë dhe Pakistanit.