Në luftën e Kosovës kishte vetëm një UÇK
Jakup Krasniqi
Nga Konferenca Ndërkombëtare e Rambujesë, pas pjesës së dytë të mbajtur në Paris, me FARK-istët që mrizonin në Shqipëri kam pasur disa takimi në Laprakë të Tiranës dhe u pata bërë ftesën për të hyrë në Kosovë ku edhe zhvillohej lufta. Në këtë kohë është përgatitur edhe plani për operacionin Shigjeta të cilin e pati udhëhequr ministri i Mbrojtjes, Fatmir Limaj.
Para se të hartohej operacioni Shigjeta, unë asokohe si zëdhënës i UÇK-së dhe zëvendëskomandant i saj isha në Tropojë ku ekzistonte një formacion i armatosur që pretendonte të hynte në Kosovë. Në atë kohë veç kishin filluar bombardimet e NATO-s dhe udhëheqësit e atij formacioni ushtarak që më vonë u shndërrua në Brigadë pas vrasjes së dëshmorit Agim Ramadani dhe u pagëzua me emrin e tij, Brigada Agim Ramadani.
Në këtë formacion edhe kishte pjesëtarë të Farkut të Laprkës, por simbolet e tyre ishin të UÇK-së. Aty kishte edhe shumë pjesëtarë që e kishin themeluar UÇK-në, siç ishte edhe dëshmori Xhemajl Fetahu, Nasim Haradinaj e shumë të tjerë.
E dija historinë e disave, por kur unë isha atje e formova bindjen se ishin shkëputur nga ajo që po e thonë sot. Ndoshta prezenca ime i kishte bërë atëherë që të heshtin.
Ky formacion ishte i UÇK-së, individualisht kush si e ka quajtur veten e tij, nuk dua të merrem, se kjo çështje as atëherë e as sot nuk ka ndonjë rëndësi.
E rëndësishme është se ishte momenti i fundit që ai formacion t’i arsyetonte shpenzimet financiare që i bënte. Këtij formacioni i është dhënë ndihma e nevojshme dhe e kërkuar nga SHP i UÇK-së. Këtë (ndihmën) mund ta konfirmoj edhe gjenerali (komandanti) i nderuar i Shqipërisë – Kudusi Lame, i cili edhe ka shkruar për këtë çështje.
Veç edhe një gjë dua të them. Sa për Farkistët lufta në Kosovë kurrë nuk do të ndodhte, ata veç emrit nuk kishin asnjë aktivitet tjetër. Dhe thirrja sot pas 19 viteve në farkizëm nuk i nderon as të rënit e as të gjallët e mbetur.
Të gjitha aktivitetet politike, brenda e jashtë atdheut i kanë bërë drejtuesit e SHP të UÇK-së. Diçka nga këto i kam sqaruar mirë edhe më gjerësisht në librin tim: ‘Kthesa e Madhe – Ushtria Çlirimtare e Kosovës’, botim i Buzukut, Prishtinë 2006 dhe 2007.