Në LV ka grupe militantësh që janë formuar për t’i ofenduar ata që largohen nga partia
Deputeti i Pavarur i Kuvendit të Kosovës, një kohë ish-pjesë e Lëvizjes Vetëvendosje, Fatmir Humolli, deklaron se Vetëvendosje është subjekt politik heterogjen, dhe që për kreun e LV-së, Albin Kurti, ka qenë e rëndësishme mbledhja e sa më shumë votave.
“LV nuk ka qenë subjekt politik dhe nuk është homogjene, por ka ka qenë një grumbullim heterogjen dhe asnjë subjekt politik nuk është me heterogjen sesa LV-ja dhe duke pasur parasysh këtë gjendje, Kurti ka dashur të fitoj vota nga gjitha rrymat për të ndërtuar një subjekt politik për të garuar në zgjedhjet e ardhshme’’ thotë Humolli.
Deputeti i pavarur deklaron se qeveria Kurti i ka ofenduar veteranët e UÇK-së dhe se tashmë pikëpamjet e tij nuk përshtatën me programin qeverisës të LV-së.
“Qeveria i ka ofenduar dhe poshtëruar veteranët dhe familjet e tyre. Pikëpamjet e mia nuk kanë qenë në përputhje me programin qeverisës të LV-së, por me programin elektoral të saj. Momentin kur është ndërtuar qeveria, një klikë brenda VV-së e kanë uzurpuar pozicionin e Qeverisë dhe nuk i kanë dëgjuar reagimet e deputetëve. Unë vetë i kamë paralajmëruar’’ shton ai.
Për deputetin Humolli, LV-ja nuk është as e djathtë dhe as e majtë, por një parti me një liberalizëm ekstrem.
‘’VV nuk është as e majtë e as e djathtë, por liberalizëm ekstrem. Ka plot deputetë të tjerë që iu imponohen gjërat por që nuk e pranojnë e tash e këta deputetë e kanë pasur guximin me reaguar. Unë e kam parë përbërjen e moshës së deputetëve të LV-së, që ju mungon përvoja politika dhe guximin politik. Unë kam biseduar me deputet personalisht, ka miratim për pozicionin tim, por s’kanë guxim të rreshtohen me neve. LV më shumë është shoqëri civile se sa orientim politik’’, potencon ai.
Deputeti i Pavarur thotë se ka grupe militante brenda LV-së, që janë formuar për të ofenduar dhe goditur kë do që mendon ndryshe nga VV-ja dhe për shkak të saj sipas tij, ka shumë deputetë brenda LV-së që nuk guxojnë të shprehin mendimet dhe qëndrimet e tyre hapur.
“Grupet militante janë formuar për të goditur çdo frymë që mendon ndryshe dhe unë kam pasur deputetë që kanë thënë s’mundem me u largu ose me u rreshtua ndryshe se s’mundën me i durua fyerjet e këtyre grupeve’’ thotë Humolli për FrontOnline.