Në Madrid nuk ka kohë as për të thënë lamtumirë, dramat që po shkakton Covid-19
Çdo 15 minuta, një makinë mbërrin te dera e krematorit në varrezën “La Almudena” në Madrid. Prifti katolik Edduar, del për të takuar jo më shumë se 5 anëtarë të të ndjerit, të cilët ruajnë të gjithë distancat. Përqafimet dhe puthjet nuk janë pjesë e ritualit tanimë.
Bekimet dhe lutjet zgjasin më pak se 5 minuta. Arkivoli spërkatet me ujë të bekuar dhe merret nga punëtorët me karrocë. Nuk ka fjalime, as ceremoni publike. Nuk ka as kohë për të thënë lamtumirë.
Këto janë rregullat e vendosura nga Spanja për të përballuar situatën e krijuar nga koronavirusi. Një skenë e çuditshme, edhe për një prej varrezave më të mëdha në Evropë, e cila ka parë luftëra, uri dhe gripin spanjoll.
“Nuk e mendoni sa të trishtuar janë njerëzit, jo vetëm sepse të dashurit e tyre kanë vdekur, por sepse sistemi është aq i mbipopulluar, sa që disa prej viktimave kanë qëndruar për disa ditë të frigoriferë, para se të sillen këtu”, thotë prifti Edduar.
Në Madrid, epiqendrën e pandemisë në Spanjë, po përdoren dy pista akulli si morg i përkohshëm. Ndërsa nëpër varreza, thonë se po kryejnë 2-3 herë më shumë varrime se normalisht.
Felix Poveda u infektua gjatë një feste familjare disa javë më parë, bashkë me të mamaja dhe vëllai i tij. Të gjithë u shtruan në spital, por e ëma, 77 vjeç, nuk ia doli. Nuk pati mundësi as të kalonte te respiratori. “Jam krejt i vetëm këtu. Vëllai dhe motra ime nuk mund të vinin, gruaja ime gjithashtu, as nipat dhe mbesat. Këtu jam vetëm unë”, thotë ai për CNN.
Kjo nuk është mënyra e duhur për t’i thënë lamtumirë njeriut të dashur. Felix ka në plan të bëjë një ceremoni funerale për të ëmën kur kriza të mbarojë… problemi i vetëm është se nuk është i sigurt kur do të ndodhë kjo.