Në Magurë të Lipjanit përurohet shkolla e re

14 shtator 2020 | 14:37

Ditën e parë të vitit të ri shkollor 2020/2021 nxënësit e Magurës e kanë nisur në shkollë të re. Në përurimin e kësaj shkolle që mban emrin e dëshmorit “Haradin Bajrami”, morën pjesë kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, kryetari i komunës Lipjanit Imri Ahmeti dhe ministri i Arsimit Ramë Likaj.

Kryetari i komunës Imri Ahmeti ka falënderuar kryeministrin Hoti për ndihmën e dhënë në ndërtimin e kësaj shkolle.

Ai ka thënë se ishte Hoti në cilësinë e ministrit të Financave në Qeverinë Mustafa, i cili i kishte dhënë lajmin për nderimin e kësaj shkolle dhe tani ndjehet i lumtur që ai po merr pjesë në këtë përurim në cilësinë e kryeministrit.

“Është rast i veçantë sepse po përurohet një objekt i veçantë, një objekt model i kompletuar me gjithë infrastrukturën. Në raport me një objekt që deri më tani e kemi pasur, vërtet jep mundësi të mira që nxënësit tonë të jenë më komod dhe të kenë një shkallë më të lartë të mësimnxënies”, është shprehur Ahmeti.

Ndërsa, kryeministri Hoti në fjalën e tij, ka përgëzuar kryetarin Imri Ahmeti për punën e bërë në kompletimin e kësaj infrastrukture.

Ai duke uruar nxënësit për këtë shkollë, bëri thirrje që të respektohen masat, në mënyrë që mësimi të vazhdojë.

(Q.R / Epoka e re)

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kombëtarja shqiptare e futbollit do të zhvillojë një miqësore me…