Në Malishevë Dita e Rinisë shënohet me dhjetëra aktivitete
Me moton “Ne e ndërtojmë të ardhmen” në Komunën e Malishevës, zyrtari për rini Mehdi Krasniqi, para shumë të rinjve malishevas ka bërë hapjen zyrtare të “Ditës së rinisë”, 12 shtatorin.
Brenda kësaj dite do të zhvillohen dhjetëra aktivitete, kulturo-sportive, muzikore dhe në artin pamor.
Në emër të kryetarit Ragip Begaj, shefja e kabinetit Blerta Krasniqi, iu drejtua të rinjve. “Ju keni pasur dje, sot dhe do ta keni edhe në të ardhmen, mbështetjen e kryetarit Begaj dhe atë institucionale në përgjithësi, për projektet që ofroni, projekte të cilat ndikojnë në zhvillimin kulturoro-sportiv si dhe në fushat tjera, prandaj, Malisheva u ofron mundësinë që të dëshmoni me përgatitjet tuaj dhe potencialin që keni në ndryshimin pozitiv të së nesërmes”, ka thënë Krasniqi.
Drejtoresha në Drejtorinë për Kulturë, Rini dhe Sport, Besartë Kryeziu – Ramaj, ka thënë se qëllimi i kësaj dite është të pranojë dhe të njoh përpjekjet dhe përkushtimin e të rinjve malishevas që me potencialet e tyre krijuese dhe idetë inovative do të ndikojnë në përmirësimin dhe zhvillimin e Malishevës dhe shoqërisë në përgjithësi.
Ndërkaq, drejtori i Departamenti për Rini në Republikën e Kosovës, Xhevat Bajrami, ka thënë se të rinjtë e Malishevës po tregojnë vlera dhe po japin shembuj se si duhet dashur dhe punuar për Kosovën.
/Epoka e re/