Në Malmo të Suedisë kremtohet Pavarësia e Kosovës
Më 19 shkurt Qendra Kulturore Shqiptaro – Suedeze “Okarina” dhe shoqatat e grave të qytetit të Malmos “Kosovarja” dhe “Vlora” realizuan dy aktivitete të rëndësishme për nder të pavarësisë së Kosovës.
Aktiviteti i parë kulturor u realizua në Qendrën Kulturore të Kosovës në Suedi dhe pati për objekt promovimin e veprës “Gjergj Kastrioti Skënderbeu- Kryqtari i fundit” të ambasadorit shqiptar në Suedi Virgjil Kule.
Aktiviteti i dytë kulturor u mbajt në sallën “Öresundsterminalen” të qytetit të Malmos dhe ishte një koncert i bukur tematik si me pjesën akademike, ashtu edhe pjesën muzikore.
Ambasadori Virgjil Kule dëshironte prej kohësh që promovimin e veprës kapitale të sapo ribotuar “Kryqtari i fundit” ta realizonte në Malmo, nën përkujdesjen e “Okarinës” dhe dy shoqatave aktive të grave “Kosovarja” e “Vlora”.
Edhe vendin e promovimit po edhe ngjarjet historike që do të nderonte i kishte parasysh. Prandaj, zgjodhi jo rastësisht vendin – Qendrën Kulturore të Kosovës në Suedi dhe qëllimisht dy ngjarjet historike për t’i kujtuar e nderuar me këtë promovim.
Historitë që do të nderonte me promovimin e veprës autoriale ishin 14-vjetori i pavarësisë së Kosovës dhe 578-vjetori i Besëlidhjes së Lezhës.
Vendi i promovimit simbolik, dy apogjetë historik që nderoheshin krucial në vazhdimësinë ekzistenciale shqiptare. Ndërkaq, vet vepra (për Skënderbeun) që promovohej, është njëra nga botimet më të rëndësishme në dekadën e fundit në gjithë veprimtarinë botuese gjithëshqiptare.
Promovimi (e drejtoi Qerim Kryeziu) filloi me përshëndetjen e Bashkim Jasharit në emër të organizatorit dhe pjesën muzikore të sopranos së filarmonisë së Kosovës Ardita Ukaj.
Drejtuesi i programit shpjegoi historikun e botimit të parë të kësaj vepre në vitin jubilar të pavarësisë së Shqipërisë në vitin 2012 dhe rishtypjet e shpeshta ndërkohë që iu bënë po kësaj vepra për shkak të kërkesave të lexuesve të shumtë.
Sivjet vepra e autorit Kule u ribotua e kompletuar dhe e ridizajnuar si botim.
Gjatë gjithë kohës së promovimit shfaqej një film pa zë në të cilin paraqiteshin promovimet e kësaj vepre në shumë vende të botës.
Nga grupi i panelit folën prof. Rexhep Jashari e prof. Fetah Bahtiri.
Profesor Jashari prezantoi shkurtimisht pak biografi për autorin Virgjil Kule dhe potencoi vlerat e shumta historike, letrare e dokumentare të veprës.
Fetah Bahtiri falënderoi autorin për kontributin e madh që i solli literaturës Skënderbegiane me këtë vepër monumentale. Vet autori Kule kënaqi të pranishmit jo me ri-rrëfimet e pjesëve të veprës por, me shpjegimet interesante të laboratorit të vet krijues, me shpjegimin e dëshirës së hershme të tij për të shkruar një skenar dokumentar për Skënderbeun dhe me zbardhjen e rrugëtimit të realizimit të veprës prej fillimit e deri në mbarim. Si ishte të ktheheshe 500 vite prapa në histori; të shkelesh sot në të gjitha ato vende ku kishte qëndruar Skënderbeu dikur; të lexoje gjithë ato shkrime, anale, dokumente, letërkëmbime; të vizitoje Zetë e Raguzë, Vatikan e Venedik, Napoli e Milano, gjithë viset e Shqipërisë dhe tërë territorin e Italisë? Këto ishin pyetjet rreth të cilave ambasadori Kule përgjigjej si orakull i lashtë. Të pranishmit shtruan edhe pyetje tjera të cilave autori iu përgjigj me kënaqësi. Promovimi mbaroi me një këngë të bukur për Skënderbeun të kënduar nga rapsodi e pjesëmarrësi i disa Festivaleve Folklorike të Gjirokastrës Enver Ismaili.
Një drekë me ushqime tradicionale shqiptare, e shtruar nga shoqatat e lartpërmendura të grave fisnike shqiptare e bënë edhe më të ngrohtë, më të përzemërt dhe më të bereqetshëm promovimin. Sponsor i aktivitetit promovues ishte Halit Ferizi.
Në mbrëmjen e 19 shkurtit vazhdoi kremtimi për pavarësinë e Kosovës në një ambient tjetër të qytetit të Malmos. Me këtë rast u shfaq edhe koncerti madhështor me këngëtaren emblematike të muzikës popullore shqiptare Shkurte Fejza e shoqëruar nga këngëtarja tjetër që jeton në Suedi Mevlyde Mehmeti. Megambrëmja (kështu e quajti me të drejtë organizatori) pati përmbajtje vërtetë festive, shumë mysafirë, nxënës shqiptarë që vijojnë mësimin e gjuhës shqipe, shumë këngëtarë shqiptarë që jetojnë në Suedi dhe disa përfaqësues të diplomacisë shqiptare të akredituar në Danimarkë e Suedi. Mbi të gjitha pati shumë gëzim, shumë krenari dhe shumë festim. Këto tri tipare shpirtërore të megambrëmjes u shfaqen qartësisht edhe në fytyrat e dy moderatorëve kur dolën në skenë pas intonimit të dy himneve. Mirëseardhje e urime të sinqerta gjithë të pranishmëve për festën e Pavarësisë u shprehu profesor Bashkim Jashari, në emër të organizatorit. Pastaj nisen përshëndetjet dhe falënderimet tjera. I pari mori fjalën ambasadori i Shqipërisë në Suedi Virgjil Kule. Ambasadori solli në kujtesë vitet tetëdhjetë, kohën kur ai vet, nga studiot e Televizionit Shqiptar çmontonte verbalisht propagandën ekspansioniste të regjimit okupator jugosllav, njësoj siç shkatërruan në fund të viteve nëntëdhjetë forcat e NATO-s dhe të UÇK-së pozicionet policore e ushtarake të okupatorit serb në Kosovë. Përshëndeten publikun e entuziazmuar edhe konsujt e Republikës së Kosovës në Suedi Ardian Kolaj e Danimarkë Mentor Halilaj.
Veterani i UÇK-së dhe i burgosuri i dikurshëm politik Hysret Kqiku uroi përzemërsisht shqiptarëve ditën e Pavarësisë.
Edhe profesor Fetah Bahtiri, autor i disa botimeve e veprimtar i shquar i komunitetit tonë në Suedi uroi për ditën e Pavarësisë. Një hyrje e sintetizuar akademike që paraqiste rrugëtimin historik të Kosovës, prej ndarjes nga tërësia e vet territoriale e deri të Pavarësia më 17 shkurt 2008 tingëlloi bukur në vazhdimësinë e manifestimit. Pjesa artistike nisi me vallen e vajzave të shoqatës “Kosovarja” dhe me poezinë e nxënëses Arnela Elshani nga shkolla e Åstorpit. Këngën “Ti Kosovë je vet Flamur” (dhe rrëfimin e shkurtër por shumë prekës për të kaluarën familjare) e solli rapsodi Enver Ismaili. Tingujt e ëmbël të çiftelisë e plisi i bardhë mbi vetullën e rapsodit, jepnin figurën impozante të njeriut shumë krenar që këndonte me zemër për Liri e Pavarësi. Edhe një vogëlushe tjetër nga kopshti i “Kosovares” recitoi një poezi të bukur për Kosovën. Hamdi Goxhuli këndoi këngën “O i ëmbël, o Atdhe” kurse Beqir Shaqiri këngën lapidare për Isa Boletinin “Ministrit në Londër”. Ardita Ukaj, soprano e filharmonisë së Kosovës shkëlqeu me këngën “Ma fal atë buzëqeshje” ndërsa doktoresha Fahrie Jashari me këngën për Adem Jasharin. Para se të shtrohej darka kënduan nga një këngë këngëtaret Mehmeti e Fejza, e pas saj kënduan deri vonë të dy këngëtarët.
Hareja e Pavarësisë nën përkëdheljen e këngëve të Shkurte Fejzës.
Shkurte Fejza është zonjë shqiptare dhe këngëtare emblematike e muzikës popullore. Dy virtyte të admiruar njerëzore të emrit të saj që të bëjnë të ndjehesh mirë sa herë e sheh me mikrofon në dorë në skenat koncertale. Dhe të gjithë u ndjemë mirë kur Shkurte Fejza hyri qetësisht në ambientin e “Öresundsterimenalen” e Malmös, e ftuar nga “Okarina” dhe humanisti e afaristi ynë Halim Hoti. Këngëtarja Fejza, kur u ngjit në skenë, nuk mori këngën menjëherë. Ajo përshëndeti përzemërsisht, uroi për përvjetorin e Pavarësisë dhe bekoi gjithë mërgatën shqiptare duke konstatuar njëkohësisht se pa dorën e ndihmën e saj nuk do të ishim këtu ku jemi sot. Fjalët e ëmbla që tha në fillim jehuan si këngët e bukura që këndoi më vonë. Pastaj mori këngën duke u shoqëruar me dëshirën e saj edhe nga publiku. Shkurte Fejza këndoi këngët e mirënjohura për Kosovën, lirinë e Adem Jasharin. Ashtu, plot hare, kënduan së bashku këngëtarë e mërgimtarë deri në orët e vona të mbrëmjes. Një pjesë të koncertit festiv e përmbushi me sharmin interpretaiv edhe këngëtarja tjetër mërgimtare Mevlyde Hajra. Të gjitha interpretimet orkestroheshin me përkujdesjen instrumentale profesorit të muzikës në Halmstad Armend Hajres dhe shoqëroheshin me vallëzimet e dyqind të rinjve e të rajave mërgimtare që kishin mbushur sallën.
Edhe këtë vit (paksa më i shlirshëm nga rreziku i pandemisë) u festua me krenari për 14-vjetorin e Pavarësisë së Kosovës dhe u përkujtuan ngjarje e personalitete të rëndësishme që kontribuuan për lirinë tonë.
Një falënderim publik Qendrës Kulturore Shqiptaro-Suedeze “Okarina”, dy shoqatave “Kosovarja” e “Vlora” dhe të tjerëve që mundësuan kremtimin e festave e përvjetorëve tonë të lavdishëm.
Të dy aktivitetet kulturore për nder të Pavarësisë i mbuloi me transmetim televiziv ekipi i “Zërit të Kosovës” nga Kopenhaga.
(Qerim Kryeziu)