Në Maqedoni të Veriut rivotohet në shtatë vendvotime
Në Maqedoninë e Veriut më 22 maj po rivotohet në shtatë vendvotime në njësinë e pestë dhe të gjashtë zgjedhore, që mund të ndryshojnë numrin e mandateve të fituara nga partitë politike në zgjedhjet parlamentare të 8 majit.
Në këto vendvotime të drejtë vote kanë 4 513 qytetarë, të cilët që nga ora shtatë e mëngjesit u janë drejtuar kutive të votimit.
Rivotimi mbahet pas konstatimit të parregullsive nga Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve e që ishin pranuar edhe nga Gjykata Administrative.
Parregullsitë kishin të bëjnë kryesisht me gjetjen e më tepër fletëve të votimit nëpër kutitë e votimit.
Në njësinë e pestë zgjedhore që përfshin pjesën jugperëndimore të Maqedonisë së Veriut votohet në gjashtë vendvotime në Ohër, Strugë, Krushevë dhe Dollneni.
Në njësinë e gjashtë zgjedhore që përfshin rajonin e Tetovës në pjesën perëndimore të vendit të banuar me shqiptarë, rivotohet në një vendvotim në fshatin Llërc.
Rivotimi mund të ndryshojë raportet mes forcave në Kuvend.
Në zgjedhjet e mbajtura më 8 maj, VMRO DPMNE-ja ka fituar 58 mandate, Fronti Evropian që drejtohet nga BDI-ja 19, koalicioni VLEN 18 mandate, dhe nga gjashtë mandate partia E Majta dhe Lëvizja ZNAM.Bashkimi Demokratik për Integrim ka akuzuar VMRO DPMNE-në, LSDM-në dhe koalicionin VLEN për “rivotim të kurdisur” me qëllim të, siç ka thënë, marrjes së dy mandateve në këto dy njësi zgjedhore.
VMRO DPMNE-ja që fitoi zgjedhjet parlamentare dhe ato presidenciale pret që nga rivotimi të marrë edhe një mandat më shumë siç pret edhe koalicioni VLEN.
Pamje nga takimi mes delegacioneve të partisë VMRO DPMNE, dhe koalicionit të opozitës shqiptare VLEN, të cilat po bisedojnë për formimin e Qeverisë së re të Maqedonisë së Veriut, 11 maj 2024.
Maqedonia e Veriut është e ndarë në gjashtë njësi zgjedhore dhe në secilën prej tyre zgjidhen 20 deputetë nga 120 sa numëron Kuvendi.
Pas rivotimit më 22 maj, KSHZ-ja pritet t’i certifikojë rezultatet përfundimtare të zgjedhjeve, pas çka nisin afatet për dhënien e mandatit për formimin e Qeverisë së re partisë fituese, në këtë rast VMRO DPMNE-së.
Nga kjo parti presin që Qeveria e re të formohet më së voni deri në javën e parë të muajit qershor. /REL