Në mbledhjen e sotme, qeveria në detyrë mori këto vendime
Qeveria e Kosovës e drejtuar nga kryeministri në detyrë Avdullah Hoti, në mbledhjen e sotme ka miratuar disa vendime.
Qeveria në detyrë e ka miratuar vendimin me të cilin ka obliguar të gjitha institucionet publike në Kosovë që të bashkërendojnë aktivitetet e tyre me Agjencinë e Shoqërisë së Informacionit në Ministrinë e Punëve të Brendshme (AShI/MPB) për zhvillimin e sistemeve elektronike dhe integrimin e tyre në infrastrukturën dhe platformat qendrore të sistemeve të informacionit në pajtim me legjislacionin në fuqi.
Me këtë rast, obligohet AShI/MPB të paraqesë për miratim në Qeveri draftin e Strategjisë së Qeverisjes Elektronike brenda tre (3) muajve, si dhe Policia e Kosovës që të rrisë kapacitetet hetuese për parandalimin e sulmeve kibernetike në bashkëpunim me institucionet relevante vendore dhe ndërkombëtare.
Në mbledhjen e sotme është miratuar edhe vendimi për shqyrtimin e mëtejmë të kërkesës për shpronësim për interes publik të pronave të paluajtshme ish-shoqërore të cilat janë të nevojshme për realizimin e projekteve të Këshillit Gjyqësor të Kosovës (KGjK) për:
– Ndërtimin e objektit të ri të Gjykatës Themelore në Pejë, Komuna Pejë.
– Ndërtimin e objektit të ri të Gjykatës Themelore në Prizren, Komuna Prizren.
– Renovimin dhe ndërtimin e ish-objektit të filialës së “Jugobankës” në Mitrovicë për nevoja të Gjykatës Themelore në Mitrovicë, Komuna Mitrovicë.
Kabineti qeveritar ka miratuar edhe vendimin për shqyrtimin e mëtejmë të kërkesës për shpronësim të pronave të paluajtshme:
-Në Zonën Kadastrale Bresallc, Komuna Gjilan, e cila preket nga ndërtimi i Autostradës Prishtinë-Gjilan-Dheu i Bardhë;
-Në Zonën Kadastrale Balincë Komuna e Malishevës, e cila preket nga ndërtimi i Rrugës Nacionale N9, Prishtinë-Pejë dhe;
-Në Zonën Kadastrale Milloshevë, Komuna e Obiliqit, e cila preket nga ndërtimi i Rrugës Nacionale N2 Prishtinë-Mitrovicë.
Kabineti qeveritar ka miratuar vendimin për anulimin, ndryshimin dhe plotësimin e pjesërishëm të Vendimit Përfundimtar me të cilin janë miratuar shpronësimet e pronave të cilat preken nga ndërtimi i Autostradës “Prishtinë-Gjilan-Dheu i Bardhë”, Segmenti Banullë – Bresallc që prek komunat Lipjan (Zonat Kadastrale Banullë, Sllovi, Smallushë), Novobërdë (Zona Kadastrale, Parallovë) dhe Gjilan (Zonat Kadastrale Bresalc, Ponesh dhe Zhegovc).
Qeveria ka miratuar edhe vendimin përfundimtar për shpronësimin për interes publik të objekteve të cilat menaxhohen nga Agjencia Kosovare e Privatizimit (AKP) të cilat preken nga realizimi i projekteve: ndërtimi i parkut që do të shërbejë për amfiteatrin e fshatit Mushtisht dhe ndërtimi i “Çerdhes së fëmijëve dhe këndi për të moshuarit” në fshatin Studençan, Komuna e Suharekës.
Miratimin e kabinetit qeveritar e ka marrë edhe vendimi për themelimin e Ndërmarrjes Publike Lokale “Kastrioti Sh.A” Obiliq, me 100 % të aksioneve nga Komuna e Obiliqit.
Qeveria e Kosovës po ashtu ka miratuar vendimin me të cilin obligohet Ministria e Ekonomisë dhe Ambientit (MEA) që në bashkëpunim me Ndërmarrjet Publike Qendrore të përgatisë dhe raportojë në Thesarin e Kosovës (MF) të dhënat e plota, me kohë dhe të sakta, për huamarrjet e brendshme dhe ndërkombëtare të Ndërmarrjeve Publike Qendrore.