Në mbrojtje të gatimit anglez
George Orwell
Vitet e fundit kemi dëgjuar të flitet shumë për dëshirën e tërheqjes së turistëve të huaj në këtë vend. Dihet mirë se dy gabimet më të këqija të Anglisë, nga këndvështrimi i një vizitori të huaj, janë zymtësia e të dielave tona dhe vështirësia për të blerë një pije. Të dyja këto për shkak të pakicave fanatike shkaktare të këtij çrregullimi që duhet t’i jepet fund, kjo të rregullohet edhe me ligj. Por ka një pikë në të cilën opinioni publik mund të sjellë një ndryshim të shpejtë për mirë: dua të them te gatimi.
Thuhet rëndom, edhe nga vetë anglezët, se gatimi anglez është më i keqi në botë. Ashtu është. Mendohet të jetë jo thjesht i paaftë, por edhe imitues, madje kohën e fundit lexova, në një libër të një shkrimtari francez, vërejtjen: “Gatimi më i mirë anglez është, natyrisht, thjesht gatim francez”.
Tani kjo thjesht nuk është e vërtetë. Siç mund ta dijë kushdo që ka jetuar për një kohë të gjatë jashtë vendit, ka një mori ushqimesh të shijshme që është krejt e pamundur t’i sigurosh jashtë vendeve anglishtfolëse. Nuk ka dyshim se lista mund të jetë më e gjatë, por këtu janë disa nga gjërat që unë vetë i kam kërkuar në vende të huaja dhe nuk i kam gjetur.
Para së gjithash, harengat e kripura dhe të thara, budingun e Jorkshajrit, kremin e Devënshajrit, kekun e butë dhe kulaçin me brumë të ardhur. Më pas një listë e budingëve, do të ishte e pafundme nëse do ta jepja të plotë. Por do të përmend në mënyrë të veçantë pudingun e Krishtlindjes, tortën me melasë dhe petën me mollë. Pastaj një listë pothuajse po aq e gjatë ëmbëlsirash: për shembull, kek me kumbulla të errëta (siç e gjeje në shitje para luftës), bukë të shkurtër dhe simite me shafran. Edhe lloje të panumërta biskotash, të cilat, natyrisht, ekzistojnë gjetkë, por përgjithësisht pranohet se janë më të mira dhe më të freskëta në Angli.
Pastaj ka mënyra të ndryshme të gatimit të patateve që janë të veçanta për vendin tonë. Ku tjetër i shihni patatet e pjekura nën një copë mishi, e cila është mënyra më e mirë për t’i gatuar? Apo ëmbëlsirat e shijshme me patate që të ofrojnë në veri të Anglisë? Dhe është shumë më mirë që patatet e reja të gatuhen në mënyrën angleze – domethënë të ziera me nenexhik dhe më pas të shërbyera me pak gjalpë të shkrirë ose margarinë – sesa t’i skuqni siç bëhet në shumicën e vendeve.
Pastaj janë salcat e ndryshme të veçanta për Anglinë. Për shembull, salca e bukës, salca e rrikës, salca me nenexhik dhe salca e mollës; pa përmendur xhelatinë me rrush pa fara, e cila është e shkëlqyer me mish deleje, si dhe me mish lepuri, dhe lloje të ndryshme të turshive të ëmbla, të cilat duket se i kemi më të bollshme se shumica e vendeve.
Çfarë tjetër? Jashtë këtyre ishujve nuk kam parë kurrë një plëndës të mbushur me të brendshme dhe qepë, as karkaleca deti të Dublinit, as marmelatë Oksfordi, as disa lloje të tjera reçeli (reçel kungulli dhe manaferre, për shembull), as salsiçe tonat.
Pastaj janë djathërat anglezë. Nuk ka shumë prej tyre, por më pëlqen që Stiltën është djathi më i mirë i këtij lloji në botë, me Uenslejdejlin jo shumë pas. Mollët angleze janë, gjithashtu, jashtëzakonisht të mira, veçanërisht molla rené portokalli.
Dhe së fundi, do të doja të thosha ca fjalë për bukën angleze. Të gjitha bukët janë të mira, nga bukët e mëdha çifute të aromatizuara me farat e qimnonit deri te buka ruse e thekrës, e cila është ngjyra e melasës së zezë. Prapëseprapë, nëse ka diçka aq të mirë sa pjesa e butë e kores së një franxholle shtëpie (kur do t’i shohim përsëri?), unë nuk e di.
Pa dyshim, disa nga gjërat që kam përmendur më sipër mund të merren në Evropën kontinentale, ashtu siç është e mundur në Londër për të marrë vodka ose supë prej folesë së zogut.[1] Por ato janë të gjitha vendase në brigjet tona, dhe në zona të mëdha për to nuk është dëgjuar më parë.
Në jug, le të themi, të Brukselit, nuk e imagjinoj se do t’ia dilni të gjeni një buding me dhjamë veshkash të bagëtisë. Në frëngjisht nuk ka as një fjalë që e përkthen saktësisht këtë dhjam. Francezët, gjithashtu, nuk përdorin kurrë nenexhik në gatim dhe nuk përdorin rrush pa fara të zeza, përveçse për pije.
Do të shihet se nuk kemi pse të na vijë turp për gatimin tonë për sa i përket origjinalitetit apo përbërësve. E megjithatë duhet pranuar se ka një pengesë serioze nga këndvështrimi i vizitorit të huaj, ngaqë nuk gjen gatime të mira angleze jashtë një shtëpie private. Nëse dëshironi, të themi, një fetë të mirë dhe të pasur me puding të Jorkshajrit, ka më shumë gjasa ta gjeni në shtëpinë më të varfër angleze sesa në një restorant, ku vizitori ha medoemos shumicën e vakteve të tij.
Është fakt që restorantet të cilat janë veçmas angleze dhe që shesin edhe ushqim të mirë janë shumë të vështira për t’u gjetur. Pabet, si rregull, nuk shesin fare ushqim, përveç patateve të skuqura dhe sandviçëve pa shije. Restorantet dhe hotelet e shtrenjta pothuajse të gjitha imitojnë gatimet franceze dhe i shkruajnë menytë e tyre në frëngjisht, ndërsa nëse doni një vakt të mirë të lirë, natyrshëm anoni drejt një restoranti grek, italian ose kinez. Nuk ka gjasa të kemi sukses në tërheqjen e turistëve ndërkohë që Anglia mendohet si një vend me ushqime të këqija dhe akte nënligjore të pakuptueshme. Aktualisht nuk mund të bëhet shumë për këtë, por herët a vonë racionimi do të marrë fund dhe atëherë do të jetë momenti që gatimi ynë kombëtar të ringjallet. Nuk është një ligj i natyrës që çdo restorant në Angli duhet të jetë ose i huaj ose i keq, dhe hapi i parë drejt një përmirësimi do të jetë një qëndrim më pak i përvuajtur i vetë publikut britanik.
Evening Standard, 15 dhjetor 1945
Përktheu nga anglishtja: Granit Zela
© Armagedoni
[1] Gatim me një përmbajtje të lartë proteinash dhe shije të pasur.