Në mënyrë madhështore mbyllet turniri ‘Demush Mavraj’, ‘Rama Market’ rrëmben vendin e parë
Në mënyrë madhështore ka përfunduar turniri tradicional “Demush Mavraj”, i cili është organizuar nga 7 deri më 20 maj. Turniri në futboll të vogël që është organizuar në shenjë respekti e nderimi për dëshmorin e kombit dhe arsimtarin e Edukatës Fizike, Demush Mavraj solli emocione, rivalitet dhe mbi gjitha kulturë të rrallë sportive. Për këtë meritat i takojnë fillimisht donatorëve, pastaj organizatorëve, ekipeve dhe secilit pjesëmarrës.
Në finalen e madhe ekipi i “Rama Market” doli më i suksesshëm se ai i “Niti Shpk” prandaj edhe e rrëmbeu Kupën. Si shpërblime ekipi fitues mori përveç Kupës, mori edhe medalje dhe u shpallë edhe portieri më i mirë. Derisa si shpërblim i takuan edhe 1 200 euro. Ndërsa lojtari më i mirë erdhi nga ekipi i dytë më i mirë i turneut “Niti Shpk”. Ky ekip u shpërblye edhe me medalje dhe 300 euro.
“Miq e dashamir, sportdashës dhe ju njerëz të vullnetit të mirë që secili me mundësit e juaja na ndihmuat në organizimin e turnirit tonë tradicional. Në emër te këshillit organizativ duam t’iu falënderojmë përzemërsisht për mbështetjen tuaj, mbështetje e cila e bëri turnirin tonë më madhështor si asnjëherë më parë, ju jemi shumë mirënjohës me shpresën që herëve të tjera të jeni edhe më shumë të kënaqur me punën dhe organizimin tonë. Na nderuat ne si organizatorë, nderuat familjen e dëshmorit, nderuat Istogun, Dukagjinin e krejt Kosovën. U pafshim më shumë befasi edicionin e ardhshëm e qofshi faqebardhë”, thuhet në letrën falënderuese të Këshillit Organizativ.
/Epoka e re/