Në Ministrinë e Mbrojtjes u shënua Dita Kombëtare e Boshnjakëve

28 shtator 2023 | 13:18

Në Ditën Kombëtare të Boshnjakëve, 28 Shtatorit, sot në Ministrinë e Mbrojtjes u mbajt një tryezë e rrumbullakët, ku morën pjesë ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, zëvendësministri i Mbrojtjes, Adnan Redzeplar, zëvendëskomandanti i FSK-së, gjeneralmajor Enver Cikaqi, drejtori i NALT, gjeneral brigade Ralf Peter Hammerstein, si dhe zyrtarë dhe ushtarakë të Ministrisë së Mbrojtjes dhe FSK-së nga komuniteti boshnjak.

Me këtë rast, ministri Maqedonci uroi të gjithë të pranishmit e komunitetit boshnjak për këtë ditë  dhe theksoi se Republika e Kosovës çdoherë në fokus të saj ka pasur pjesëtarët jo shumicë dhe e ka dëshmuar fuqishëm që përkrahë të gjitha komunitetet si në asnjë vend tjetër në rajonin e Ballkanit dhe më gjerë, duke i avancuar në të gjitha drejtimet dhe duke krijuar bazë e mekanizma ligjor që mbrojnë të drejtat, interesat dhe integrimin e tyre të plotë në shoqërinë Kosovare.

“Si Ministër i Mbrojtjes jam krenar që Forca e Sigurisë së Kosovë është ushtri e të gjitha komuniteteve përbërëse të popullsisë së shtetit tonë, e në mesin e tyre pjesë të Forcës jeni edhe ju, komuniteti boshnjak, që me vite keni dhënë kontribut dhe jeni angazhuar në zhvillimin e Republikës së Kosovës përkundër sfidave në të kaluarën dhe nga e kaluara”, theksoi ministri Maqedonci.

Nga ana e tij, zëvendësministri ministri Redzeplar, theksoi se nga ato përjetime që kemi kaluar në Kosovë dhe Bosnje e Hercegovinë, nga armiku i përbashkët, duhet të nxjerrim mësime dhe duhet të dimë se nuk duhet të rrimë të papërgatitur për të mbrojtur lirinë e vendit tonë.

Ndërsa, Gjeneral Cikaqi, uroi të gjithë ushtarakët e ushtaraket e FSK-së nga komuniteti boshnjak, me mirënjohjen e thellë për shërbimin e tyre vetëmohues, me dinjitet të lartë, përkushtim maksimal dhe profesionalizëm në të gjitha detyrat e përgjegjësitë në njësitë e tyre.

Gjithashtu, drejtori i NALT, Gjeneral Hammerstein, në fjalën e tij në këtë ceremoni, shprehi urimet e tij për të gjithë pjesëtarët e FSK-së të komunitetit boshnjak.

Ministria e Mbrojtjes për qëllim ka rritjen e numrit të pjesëtarëve të FSK-së nga radhët e komuniteteve, në fokus të veçantë mbetet integrimi dhe avancimi i mëtutjeshëm i tyre.

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
GJILAN Adresa: Rruga e Prishtinës , Gjilan Euro Diesel: 1.46€…