Në Mitrovicë hapet punëtoria e dizajnit dhe zhvillimit urban
Nënkryetari i Komunës së Mitrovicës, Faruk Mujka, të martën ka marrë pjesë në hapjen e punëtorisë së dizajnit dhe zhvillimit urban për planifikim, të lagjeve të qytetit të Mitrovicës, projekt ky i përbashkët mes Komunës së Mitrovicës, UBT-së dhe UN-Habitat-it.
Në këtë takim ishin të pranishëm edhe rektori i kolegjit privat UBT, Edmond Hajrizi, përfaqësuesit nga UN- Habitat, në krye me këshilltaren teknike, Gwendoline Mennetrier, anëtarët e grupit punues, si dhe studentët e përzgjedhur për të ndjekur këtë punëtori.
Me këtë rast nënkryetari i komunës, Faruk Mujka, ka falënderuar organizatorët e këtij projekti duke përzgjedhur Mitrovicën të parën, për të realizuar një projekt të tillë, i cili ka të bëjë pikërisht me zhvillimin e kreativitetit tek studentët tanë.
Po ashtu nënkryetari Mujka ka theksuar se ky projekt do të mundësojë që komuna e Mitrovicës të përfitojë përvoja profesionale dhe ide inovative nga ekspertët dhe studentët e fushave përkatëse për zgjidhjen e problemeve të komunitetit.
Përmes këtij projekti, punëtoria e dizajnit dhe zhvillimit urban për planifikim ka mbledh disa studentë nga Kolegji UBT, Universiteti i Prishtinës “Hasan Prishtina”, Universiteti i Mitrovicës “Isa Boletini”, si dhe nga Kolegji Ndërkombëtar i Biznesit – Mitrovicë (IBC-M), të cilët kanë përgatitje akademike përfshirë në fushat: arkitekturë, planifikim urban, mjedis, sociologji dhe ekonomi, ku në bashkëpunim me grupin punues bazë të projektit dhe komunitetet e lagjeve do të mblidhen për të ndarë përvojat, idetë, si dhe për të dhënë ekspertiza profesionale në këtë drejtim.
/Epoka e re/