Në Mitrovicë janë në realizim 25 projekte kapitale
Në Komunën e Mitrovicës janë duke u realizuar 25 projekte kapitale, që arrijnë vlerën disa miliona euro, të siguruar nga buxheti komunal dhe ai qeveritar.
Sipas një njoftimi të Komunës së Mitrovicës, ndërsa që para pak ditësh ka përfunduar projekti i asfaltimit të rrugëve në Stantërg.
“Kështu me intensitet të plotë janë duke u zhvilluar punët për ndërtimin dhe asfaltimin e rrugëve në fshatrat Zasellë, Rahovë, Frashër, Suhadoll, Vidimriq, Bajgorë (nëpër lagje) dhe hapja e rrugës Melenicë-Maxherë-Dedi-Batahir-Bistricë. Në përfundim e sipër janë edhe rrugët kryesore brenda në qytet”, është bërë me dije në njoftimin e Komunë së Mitrovicës.
Po ashtu, në përfundim e sipër janë edhe punët për shtruarjen me kubëza të disa rrugëve na Iliridë, Bair dhe Shipol.
“Përveç projekteve për ndërtimin dhe asfaltimin e rrugëve, në realizim e sipër janë edhe projektet të tjera kapitale dhe shumë të rëndësishme për qytetarë. Siç janë: ndërtimi i kanalizimit fekal në Iliridë, afër Universitetit ‘Isa Boletini’, ndërtimi i kanalizimit atmosferik në disa lagje në qytet, debllokomi i kanalizimeve po ashtu në disa lagje të qytetit, ndërrimi i gypave të ujësjellësit prej betoni me gypa PVC në Iliridë e Shipol etj”, thuhet në njoftimin e Komunës së Mitrovicës.
Kryetari i Komunës, Agim Bahtiri, ka inspektuar punët në realizimin e pothuaj të gjitha këtyre projekteve, për të parë nga afër se deri ku kanë shkuar ato.
Kryetari Bahtiri me këtë rast ka bërë vërejtje serioze në punët e disa projekteve dhe ka kërkuar nga punëkryesit që ato të përmirësohen.
/Epoka e re/