Në Mitrovicë përurohet qendra e rinovuar e Shoqatës Down Syndrome Kosova
Nënkryetari i Komunës së Mitrovicës, Faruk Mujka, i shoqëruar nga drejtori për Financa dhe Zhvillim Ekonomik, Shukri Gashi, të enjten kanë marrë pjesë në përurimin e hapësirave të rinovuara për ofrimin e shërbimeve për fëmijët me sindromën Down, në qendrën e Shoqatës Down Syndrome Kosova, në Mitrovicë.
Me këtë rast, nënkryetari Mujka ka falënderuar donatorët të cilët kanë kontribuar në rinovimin e kësaj qendre, duke thënë se me të vërtetë këta fëmijë meritojnë përkujdesje dhe kushte sa më të mira për një edukim të mirëfilltë për ta.
Po ashtu, nënkryetari Mujka ka theksuar se Komuna e Mitrovicës para disa ditësh ka nënshkruar kontratën për dhënien në shfrytëzim të pronës komunale për krijimin e një qendre për personat me aftësi të kufizuara, duke e bërë atë funksional dhe hapësira në fjalë të ofrojë shërbime për personat me aftësi të kufizuara.
Ndërsa përfaqësuesit e kësaj qendre, u shprehen të jenë mirënjohës dhe falënderues ndaj institucioneve, bizneseve, miqve dhe bashkëpunëtorëve që ndihmuan në rinovimin, ku falë kontributit të tyre u krijuan kushte më të mira pune për anëtarët dhe stafin e DSK-së në Mitrovicë.
Rinovimi i kësaj qendre, është mbështetur nga Ministria e Inovacionit dhe Ndërmarrësisë, në kuadër të projektit “Dreams Academy”, Shoqatës Bamirëse “Djemtë e Mitrovicës”, si dhe nga qytetarët e vullnetit të mirë.
/Epoka e re/