Në Mitrovicë pritet të realizohet projekti më madhor në sektorin e bujqësisë
Nënkryetari i Komunës së Mitrovicës, Faruk Mujka, së bashku me drejtorin për Bujqësi dhe Zhvillim Rural, Ekrem Sadiku, kanë pritur në takim përfaqësuesit e kompanisë ndërkombëtare “International Investvent & Business Development Consulting – IDC-KOS”, Selim Erden, Mehmet Ulger si dhe Mustafa Cuneyt.
Në këtë takim i pranishëm ishte edhe Rrustem Abiti nga Oda Ekonomike e Kosovës, i cili ka njoftuar nënkryetarin Mujka lidhur me projektin i cili do të realizohet në Komunën e Mitrovicës në sektorin e bujqësisë.
Përfaqësuesit e kompanisë “IDC- KOS” gjatë këtij takimi kanë bërë me dije se në Mitrovicë do të realizohet projekti më madhor në sektorin e bujqësisë, ku do të ngritët “Parku i Teknologjisë së Agrikulturës”, i cili është i vetmi i këtij lloji në vend dhe rajon.
Ky projekt do të realizohet në koordinim me disa akterë, që janë njohës të mirë të kësaj fushe, si Oda Ekonomike e Kosovës, Fakulteti i Bujqësisë nga Universiteti i Prishtinës, kompania “IDC-KOS”, si dhe Komuna e Mitrovicës.
Pjesë e këtij projekti do të jenë kryesisht gratë dhe fermerë të tjerë të cilët merren me bujqësi në Komunën e Mitrovicës, ndërsa që projekti do të përfshijë disa faza, si prodhimin, tharjen, ngrirjen si dhe paketimin ku të gjitha këto prodhime do të eksportohen për në tregun e Bashkimit Evropian.
/Epoka e re/