Në Mitrovicë u hap Panairi i Shkencës dhe Kulturës 2019
Në ambientet e Qendrës së Kulturës “Rexhep Mitrovica” është hapur Panairi i Shkencës dhe Kulturës, edicioni i 13-të.
Ky panair tashmë është tradicional dhe organizohet nga nxënësit e gjimnazit “Frang Bardhi“ dhe komuna e Mitrovicës, ndërsa në panairin e organizuar për këtë vit po marrin pjesë edhe nxënësit e shkollave tjera të mesme të Mitrovicës.
Anëtarët e Këshillit organizativ Edmond Ujkani, Sabrije Igrishta dhe Erëza Beka kanë thënë se në panair do të tregohen vlerat e nxënësve që kanë arritur në lëndët shkollore si Kimi, Fizikë, Biologji, Astronomi dhe sektori multimedial e teknologji, ato nga kultura e muzika dhe trashëgimia kulturore etj, si dhe do të ketë aktivitete nga fusha e bamirësisë.
Panairi është vizituar nga kryetari i komunës, Agim Bahtiri, drejtori i Arsimit, Iset Beka si dhe drejtori për Kulturë, Rini dhe Sport, Tafil Peci.
Në fjalën e tij kryetari Bahtiri e ka cilësuar këtë panair si ngjarje me rëndësi për qytetin e Mitrovicës, ku po dëshmohet puna e madhe që bëhet në këto shkolla si burim i dijës dhe arsimimit.
“Puna juaj është tregues i mirë i aktiviteteve dhe angazhimit tuaj në shkollë, andaj ju do keni mbështetjen e vazhdueshme edhe në të ardhmen për organizime të këtilla, sepse në ju mbetet e ardhmja e vendit”, tha kryetari Bahtiri.
Ndërsa drejtori i Arsimit, Iset Beka, theksoi se nxënësit e kësaj shkolle, ashtu sikur edhe në të kaluarën, me këtë organizmin pasqyrojnë punën e madhe që bëhet në këtë tempull të dijes në drejtim të edukimit dhe arsimimit të gjeneratave të reja.
Ky panair i cili po organizohet për herë të 13-të, do të qëndrojë i hapur nga sot deri më 4 maj, nga ora 10:00 -17:00.
/Epoka e re/