Në Mitrovicë u shënua Dita Botërore kundër duhanit
Drejtoria e Shëndetësisë në bashkëpunim me Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare “Dr. Nexhat Çuni”, në Mitrovicë, në kuadër të aktiviteteve për shënimin e “31 majit – Ditës Botërore kundër Duhanit” organizuan një tryezë vetëdijesuese kundër pirjes së duhanit.
Në tryezë morën pjesë zyrtarë nga Drejtoria e Shëndetësisë, kryeshefi i QKMF-së, Burim Pllana, kryeinfermieria, Rukije Hajdari Pllana, drejtoresha e Institutit të Shëndetit Publik në Mitrovicë, Teuta Fejza, përfaqësues të tjerë të shëndetësisë, drejtorë të shkollave, nxënës, prindër dhe pjesëmarrës të tjerë nga shoqëria civile.
Qëllimi i këtij aktiviteti ishte informimi i qytetarëve rreth dëmeve që shkakton konsumimi i duhanit.
Ndërsa kryeshefi i QKMF-së, Burim Pllana, ka theksuar se edhe personat që nuk e pinë duhanin, mund të dëmtohen kur ata ndodhen vazhdimisht në një mjedis ku pihet duhan.
Sipas tij, duhani është shkaktari i dytë i vdekjeve në botë, se për çdo vit në botë vdesin rreth 7 milionë njerëz si pasojë e pirjes së duhanit.
Studimet e fundit të Organizatës Botërore të Shëndetësisë, flasin për atë, se nga pesë infarkte, katër shkaktohen nga pirja e duhanit.
Drejtoresha e Institutit të Shëndetit Publik në Mitrovicë, Teuta Fejza, ka tëhnë se në këtë ditë në gjithë botën organizohen aktivitete për sensibilizim të qytetarëve për pasojat vdekjeprurëse nga duhani i cili është përgjegjës për shumë lloje të sëmundjeve të rënda që vijnë nga ai.
Ajo po ashtu ka theksuar se pirja e duhanit shkakton kancer në mushkëri, sëmundje të tjera dhe dëmton fëmijët gjatë shtatzënisë.
Fejza bëri apel që të respektohet ligji kundër duhanit dhe ftoj inspektorët komunal të dalin në vendet ku konsumohet duhani nëpër objekte të mbyllura dhe të ndërmarrin masa për zbatimin e ligjit, duk i dënuar ata që e shkelin ligjin.
Ndërkaq doktor Ardian Peci ka prezantuar një hulumtim të bërë rreth konsumimit të duhanit dhe pasojave tek personat që e konsumojnë atë.
Në fund të kësaj tryeze është zhvilluar një diskutim mes specialistëve të shëndetësisë dhe nxënësve lidhur me pyetjet që kishin për konsumimin e duhanit.