Në Moldavi, mijëra qytetarë në tubim pro-evropian

21 maj 2023 | 16:37

Dhjetëra mijëra njerëz u mblodhën në kryeqytetin e Moldavisë, Kishinau, më 21 maj, në shenjë mbështetje për lidhje më të ngushta me Bashkimin Evropian (BE), ndërkohë që qeveria pro-evropiane e vendit vazhdon të luftojë rrymat politike nga Rusia.

Policia vlerësoi se janë mbledhur rreth 75 mijë njerëz, shkruan redaksia e Radios Evropa e Lirë në gjuhën angleze.

Tubimi, në të cilin është paraqitur edhe presidentja e Parlamentit Evropian, Roberta Metsola, është organizuar pak ditë para takimit të komunitetit politik evropian.

Takimi do të mbahet më 1 qershor dhe pritet që presidentja e Moldavisë, Maia Sandu, të marrë premtimin se vendi i saj, së shpejti, do të nisë negociatat për anëtarësim në Bashkimin Evropian.

amiti do të jetë takimi i parë i grupit prej 44 anëtarësh, i cili synon të përmirësojë bashkëpunimin midis BE-së dhe vendeve jo anëtare të BE-së, përfshirë vendet kandidate në Ballkanin Perëndimor dhe rajonin e Kaukazit.

Moldavia, së bashku me Ukrainën, u ftuan në hapjen e negociatave me BE-në për anëtarësim, në qershor të vitit të kaluar, disa muaj pasi Rusia filloi pushtimin e saj në Ukrainë.

Si një nga vendet më të varfra në Evropë, ajo ka pranuar qindra mijëra refugjatë ukrainas, bashkë me shqetësimet në rritje për përhapjen e mundshme të luftës.

Sandu, ish-zyrtare e Bankës Botërore, e shkolluar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, erdhi në pushtet në nëntor të vitit 2020, përmes listës pro-reformiste.

Ajo zëvendësoi Igor Dodon, presidentin socialist të mbështetur nga Moska, mandati i të cilit u trondit nga kriza ekonomike dhe skandalet e korrupsionit.

Përpjekja e Sandu për lidhje më të ngushta me BE-në ka shqetësuar Moskën, e cila vazhdon të mbështesë hapur disa figura politike të Moldavisë.

Moldavia, në periudha të ndryshme të historisë së saj, ishte pjesë e Perandorisë Ruse dhe Bashkimit Sovjetik, si dhe “Rumanisë së Madhe”. Në muajin mars, parlamenti i vendit shpalli rumanishten gjuhë zyrtare, megjithëse rusishtja përdoret ende gjerësisht.

Në Kuvendin e madh popullor ishin të pranishëm shumë njerëz, në sheshin me të njëjtin emër në kryeqytetin Kishinau, duke përfshirë edhe në shpalljen e pavarësisë nga sundimi sovjetik, në vitin 1991.

Moldavia, ashtu si Ukraina, ka aplikuar zyrtarisht për anëtarësim në Bashkimin Evropian, një proces që zakonisht zgjat me vite. Megjithatë, kushtetuta e saj vendos një politikë neutraliteti që përjashton anëtarësimin në NATO.

Vendi është ende i rënduar nga prania e rajonit separatist pro-rus të Transnistrisë, 30 vjet pas luftës së shkurtë, në të cilën ky rajon iu kundërvu ushtrisë moldave.

 

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Prej disa javësh në mediat gjermane po qarkullon lajmi se…