Në “Monaco” të kryeqytetit
Arif Molliqi
Pi kafe në kafenenë e kryeqytetit
përballë kam katër shkronjat e metalit
NO NEW BR
pyes kanë vënë të reja
apo vetëm NEW BORN-it i janë ndërruar vendet
ato janë, ato, më thonë sa për të thënë
është krejt normale që kafeneja
është plot me njerëz
se përmbi të mbahet Panairi i Librit
sado që duhma e mbeturinave
dhe bisedat me zë të lartë s’janë normale
normale nuk është as kur
shumica e lokaleve përreth nuk kanë nevojtore
edhe ato që i kanë brenda
pronarët i mbyllin për mungesë pastërtie
myshterinjtë urinojnë pas murit që i ka rënë gëlqerja
vetëm kamerierja lëshon erë blini sa herë që më kalon pranë
Në kafenenë e kryeqytetit
rreth një tavoline
katër vetë rrimë ulur në karrige plastike
dy poetë një botues dhe një kritik
të tjerët përreth kanë ardhur
kinse të blejnë libra
nëse mund ta quaj fat
këtu mund t’i blej librat e mia
Çdo ditë pasdite bie shi
derisa ne bisedojmë
cili është shkrimtari më i mirë në këtë panair
(Ka kaluar dita e katërt e panairit
për herë të parë në jetën time
nuk e fal asnjë libër
botuesi më thotë po shiten si havlla)
Në kafenenë e kryeqytetit
është mrekulli të rrish me veteranë lufte
të gjithë ne i mendojmë të njëjtat gjëra për luftën
kurse ata janë kursimtarë nga fjalët
ishin kursimtarë edhe nga frika e luftës
duke pasur fat të jetojnë
ata
përveç një letre ku shkruan se janë veteranë
në muaj marrin edhe nga 170 euro
dhe s’dinë ku t’i harxhojnë më përpara
Ky është kryeqyteti im
e kaluara na ka bërë të plakemi para kohe
derisa i dëgjojmë debatet politike me parashikime
të mbrapshta të hidhura e të lodhura
për çdo mbrëmje në televizionin e njëjtë
(Prishtinë, 10.06.2023)