Në morgun e Prishtinës janë 300 mbetje mortore
Në Institutin e Mjekësisë Ligjore (ILM) janë mbi 300 mbetje mortore të cilat datojnë nga Lufta e Parë Botërore e deri në luftën e vitit 1999 në Kosovë, të cilat nuk janë identifikuar ende se kujt i përkasin.
Shumica e këtyre mbetjeve mortore janë të personave që nuk ndërlidhen me luftën e fundit, por që aktualisht janë në morgun e Prishtinës.
Në morg ka trupa të foshnjave të porsalindura, por edhe shtetas të huaj të cilët kanë vdekur në mënyra të ndryshme që nga paslufta, por që asnjëherë askush nuk i ka kërkuar.
Këta të fundit do të varrosen në një lokacion që komuna e Prishtinës ka ndarë afër varrezave në Dragodan.
Por, në këto varreza nuk do të varrosen mbetjet mortore që kanë mbetur nga lufta e fundit.
Udhëheqësi i Departamentit të Mjekësisë Ligjor, Arsim Gërxhaliu, ka bërë me dije për “Kosovapress” se për shkak të mbingarkesës të frigoriferëve me mbetje mortore, ato do të varrosen për të liruar hapësira në frigoriferë në mënyrë që të krijohet hapësirë për prurjet e reja.
Ai ka theksuar se janë përkujdesur që varrimi i tyre të bëhet me kujdes të veçantë, në mënyrë që nëse del diçka e re pas analizave të ADN-së, këto mbetje të mund të zhvarrosen dhe t’iu jepen familjarëve.
Gërxhaliu ka thënë se mbetjet mortore të luftës së fundit do t’i mbajnë sepse ato kanë mbetur çështje e hapur dhe se së shpejti do të del një strategji nga Qeveria lidhur me qasjen ndaj tyre.
E udhëheqësi i Departamentit të Mjekësisë Ligjore, thekson se problem në vete për mosidentifikimin e deritashëm të këtyre mbetjeve ka qenë mënyra e punës e Tribunalit të Hagës
Ndërsa këshilltari i kryeministrit Ramush Haradinaj, Jahja Lluka, i cili është bartës i dosjes për persona të zhdukur në Qeverinë e Kosovës, ka thënë se morgu i Prishtinës është i mbingarkuar me mbetje mortore.
“Ne së bashku me Institutin e Mjekësisë Ligjore kemi ardhur deri të një përfundim se është mirë që të gjithë ata njerëz ta kenë një varr. Aty në morgun e Prishtinës ka njerëz të cilët kanë prejardhje të ndryshme nga shumë shtete, por edhe nga shumë qytete të Kosovës. Kemi raste kur familjarët nuk duan t’i marrin mbetjet mortore të familjarëve të vet për arsye se kanë qenë bashkëpunëtorë të okupatorit”, ka thënë Lluka.
Në Kosovë aktualisht janë 1652 persona që figurojnë të zhdukur në luftën e vitit 1999 dhe i përkasin të gjitha përkatësive etnike.