Në moshën 17-vjeçare u lodha duke u quajtur budalla, vendosa të bëhem aktor
Nga Elsa Fernandez-Santos
Ndërsa mençuria e moshës dhe prania në mediat sociale, kanë zbuluar për publikun anën e tij më të dashur, Anthony Hopkins, është ende një aktor i paparashikueshëm. Vështrimi i tij i pazbërthyeshëm si kupë–mbajtësi në filmin e James Ivory të vitit 1993 “The Remains of the Day” (Ç’mbetet nga një ditë) dhe Hannibal Lecter i tij sardonik, ndoshta personazhi i tij më i përjetshëm, janë të paharrueshëm.
Por aktori i lindur në Margam të Britanisë së Madhe, nuk është një dikush koha e të cilit ka perënduar. Hopkins mbetet ende një nga aktor kryesorë sot në tregun e kinemasë. Më shumë se 3 dekada më parë, ai fitoi Osacar-in e tij të parë për interpretimin e tij në filmin “Silence of the lamës” (Heshtja e qingjave).
Më së afërmi, Hopkins fitoi çmimin e tij të dytë Oscar për rolin e tij në filmin dramatik “The Father” (Babai) të Florian Zeller, në të cilën aktori britanik luan një të moshuar të prekur nga demenca. Hopkins luan gjithashtu në vazhdimin e tij “The Son” (Biri). Me gjithë reputacionin që ka si një aktor i fiksuar pas përpikërisë dhe detajeve, biseda me të zbulon një anë tjetër të aktorit 85-vjeçar. Nga këndvështrimi i mençur që i ofron mosha, Hopkins duket se pajtohet me filozofinë e lehtësimit dhe shijimit të jetës. Hopkins thotë se karrierea e tij u frymëzua nga gjyshi nga ana e nënës, i cili besonte tek aktori kur ishte një fëmijë i vetmuar dhe i trazuar që nuk shkonte mirë në shkollë.
Si fëmijë keni qenë një nxënës i dobët. A keni parë ndonjë ngjashmëri me veten tek personazhi i nipit tuaj në filmin e vitit të kaluar “Koha e Apokalipsit”?
Po, ka një ngjashmëri. Kur isha i vogël më quanin një “njeri me zhvillim të ngadaltë”. Ndoshta mendja ime nuk ishte e pajisur për të kuptuar shkollën. Po ashtu isha një fëmijë shumë i vetmuar. Nuk kisha asnjë shok. Mendoj se kjo ishte zgjidhja ime. Diçka në natyrën time ndjente nevojën për t’u izoluar.
Megjithatë kisha një anë krijuese. Në moshën 17-vjeçare, vendosa se isha lodhur duke u quajtur budalla. I thashë vetes:”Do të bëj diçka, nuk e di se si, por do të bëhem aktor”. Gjyshi im, babai i nënës sime, më inkurajonte: ”Mos dëgjo çfarë të thonë njerëzit. Bëj atë që dëshiron. Beso tek ajo që dëshirosh të bësh dhe do t’ia dalësh”.
A i keni përdorur kujtimet me gjyshin tuaj për rolin tuaj në film?
Për mua ky rol ishte i lehtë sepse unë jam nipi i gjyshit tim. Mundohem që t’ua bëj të lehtëpunën partnerëve në sheshin e xhirimit. Unë jam thjesht mirënjohës që jam aktor dhe argëtohem duke luajtur në film. E marr seriozisht çdo rol, punoj shumë. Por thjesht nuk e teproj me angazhimin.
Keni qenë gjithmonë kështu?
Jo, ka qenë një kohë kur unë isha një aktor i ri. Punoja me shumë ritëm dhe isha shumë ambicioz. Por kur plakesh mendon se kjo punë nuk është ndonjë gjë e madhe, se në botë ka gjëra më të rëndësishme sesa të jesh aktor.
Gjatë jetës tuaj të gjatë e keni parë botën të kalojë nëpër shumë kriza. A është bërë problem harresa?
Unë mendoj që ne jemi të kushtëzuar të kalojmë një krizë dhe pastaj ta harrojmë atë. Mjerisht shumë herë harrojmë edhe mësimet e së kaluarës. Harrojmë se pozicioni ynë më i mirë në jetë është të bëjmë kompromis me ide të tjera. Duhet të ruash kompromisin që arrin më te tjerët, dhe të jeni i respektueshëm, i sjellshëm dhe tolerant me ta. Jeta është e vështirë dhe njerëzit harrojnë, sepse ne jemi mbrojtës dhe sulmues. Ne bëhemi mbrojtës pas mbijetesës,dhe kjo është arsyeja pse nuk e vrasim shumë mendjen.
A mendoni se bota po kalon aktualisht një moment kritik?
Po, por mendoj gjithashtu se duhet të jetojmë me shpresë. Vetëm 60 vjet më parë, ishte Kriza e Raketave Kubane midis Amerikës dhe Rusisë. E gjithë bota ishte në pragun e luftësbërthamore. Mendoj se kemi arritur në një moment të krizës, ku shpresojmë t’i rikthehemi rendit botëror të vitit 2018 dhe një bashkëjetese paqësore.
Sepse nëse nuk e bëjmë këtë, do të jetë fundi i planetit, fundi i qytetërimit njerëzor. Por nuk mendoj se dikush është aq i çmendur sa t’i japë fund të gjithave. Unë jam optimist. Ne i mbijetuam krizës së Covid-19, dhe bota i mbijetoi edhe Luftës së Dytë Botërore, Adolf Hitlerit…
A ju pëlqen ende aktrimi?
Më shumë se kurrë më parë! Më pëlqejnë metodat e mia të punës. Më pëlqen shumë procesi i mësimit të teksteve, mësimi i fjalëve me kaq nxitim dhe më pas zbërthimi i tyre. Zbërthimi i rreshtave në mënyrë që të tingëllojnë reale, të natyrshme. Për ta realizuar këtë gjë duhet shumë kohë. Unë kam shumë përvojë gjatë viteve, ndaj i di të gjitha shtigjet.
A ka ndonjë sekret për ta bërë këtë?
Sekreti i aktrimit është të dëgjosh aktorin tjetër. Kjo është fjala kyçe. Kur dëgjon, kjo krijon një ndërgjegje tjetër në mendje dhe fjalët ecin rrjedhshëm.
Pse nuk morët pjesë në ceremoninë ku fituat Oscar-in tuaj të dytë për rolin në filmin “The Father”…
Ia kalova shumë bukur gjatë kohës së xhirimit, por nuk mora pjesë në ceremoni. M’u duk sikur nuk kisha bërë ndonjë sakrificë të madhe. Unë thjesht lexova disa rreshta.
Një nga gjërat e mira të pleqërisë është se bien maskat apo jo?
Po. Ke më shumë mundësi të jesh i pranishëm për njerëzit e afërt. Të rrish me miqtë e tu, të argëtohesh dhe kënaqesh.
Joanne Woodward thoshte dikur se pianistët kanë pianon, balerinët kanë këpucët e tyre tipike, por aktorët kanë vetëm veten e tyre…
Të gjithë ne njerëzit kemi një ego. Por nëse ajo fillon t’ju thotë se jeni i veçantë, atëherë jeni në telashe. Egoja është gjëja që ju nxit të ngriheni në mëngjes për të punuar. Por sapo egoja fillon të të thotë se je i veçantë, je ndryshe, atëherë injoroje. Egoja është një strukturë shumë e fuqishme. Ajo bart dy personalitete. Njëri është vetë-lavdërimi që të bën të mendosh se je një Zot.
Tjetri është ana që ju bën të ecni përpara, por ajo mund të jetë gjithashtu shumë shkatërruese. Këtë e shihni çdo ditë në politikë dhe në kinematografi. Unë mendoj se sapo arrin një moshë të caktuar, kockat e tua fillojnë të kërcasin, shpina të dhemb. Pajtohesh me faktin se asgjë nuk jeton përgjithmonë. Ky është momenti kur egoja fillon të të thotë:”Merre lehtë, relaksohu. Asgjë nuk është aq e rëndësishme.
Ç’doni të thoni me këtë?
Jeta është e rëndësishme. Ajo ka brenda shumë dhimbje, vuajtje dhe vështirësi. Ju e shihni këtë çdo ditë. Njerëzit punojnë fort gjatë gjithë vitit shumë për një pushim vjetor 2-javor. Unë shoh jetën time dhe mendoj:”O Zot i mirë, çfarë kam bërë që ta meritoj këtë komoditet?”.Nuk e di, por nuk mund ta marr veten kaq seriozisht. Njerëzit që ndërtojnë një avion apo një makinë, hidrauliku që vjen t’iu rregullojë një defekt në shtëpinë tuaj, njerëz që shihni duke riparuar një rrugë. Këta janë ata që e bëjnë botën të ecë përpara, dhe jo ndonjë aktor që shkon në studio në mëngjes.
A ka ndonjë rol që do të kishit dashur të luanit, por nuk mundeni?
Jo… Do të doja të luaja Hamletin, por jam shumë i moshuar (qesh). Por nuk jam penduar për asgjë. Përpiqem ta pastroj mendjen nga çdo dëshirë. Të mos kërkoj asgjë, të mos pres asgjë dhe të pranoj gjithçka. Kjo është motoja ime. Kështu heq dorë nga ndjenja e pasigurisë, sepse frika nuk është një konkurrente e mirë.
A keni ndonjë projekt të ardhshëm?
Po, do të luaj në 3 filma të rinj. Njëri ka të bëjë me Sigmund Freud.
Kur përgatiteni të luani personazhe historikë, si Freud, a lexoni shumë për ta? A bëni shumë kërkime?
Po, por jo shumë. Aq sa mundem. Unë nuk jam një lexues i shpejtë, nuk jam intelektual. Lexoj, kam ide dhe ia komunikoj drejtorit me e–mail. Mbaj mend që kur luajta në filmin“Mbreti Lir”, ndenja zgjuar gjithë natën sepse ata po filmonin, dhe mua më duhej të mbaja vajzën time në rol, Cordelia-n, në fakt trupin e saj të pajetë.
E kuptova se me kalimin e viteve e kisha humbur pak forcë fizike. Ndaj i sugjerova regjisorit: “Pse Mbreti Lir nuk e tërheq atë në një thes?”. Ai m’u përgjigj:”O Zot”. Sepse kjo do të dukej shumë brutale, dhe ai e kupton natyrën e vdekjes. Sapo vdesim, trupi ynë nis të kalbet. Kjo është ana e errët e realitetit. Nuk është poetike, por në thes ka një kufomë. Kjo e bëri skenën shumë më të tmerrshme, sepse me gjithë dashurinë dhe gjithë lavdinë e jetës, në fund ka një trup të vdekur e të dekompozuar, dhe kjo gjetje funksionoi.
Marrë me shkurtime nga El Pais – Bota.al