Në muajin korrik ndodhën 13 raste të dhunës në familje në Gjilan
Këshilli Komunal për Siguri në Bashkësi (KKSB) e ka vlerësuar të qetë gjendjen e sigurisë në komunën e Gjilanit, ndërkohë që ka kërkuar nga qytetarët rezident që të përmbahen nga daljet pa nevojë në qytet, gjatë kohës derisa janë këtu mërgimtarët, për t’iu lënë më shumë hapësirë e mundësi atyre që t’i shijojnë pushimet në vendlindja.
Naser Rrahmani, zëvendëskomandant i Stacionit Policor në Gjilan, ka thënë se gjendja e mirë e sigurisë është rezultat i kontributit të qytetarëve të kësaj komune, angazhimit të organeve të rendit si dhe i bashkëpunimit të policisë me komunitetin.
Ai ka rikujtuar se tani që jemi në kohën e pushimeve dhe si rezultat i lehtësimit të masave anti-Covid, ka një fluks të mërgimtarëve, të cilët kanë ardhur dhe po vazhdojnë të vijnë në vendlindje për pushime dhe kjo po vërehet nga tollovitë që po krijohen në rrugë dhe trafik.
Rrahmani ka thënë se në lidhje me këtë situatë, Stacioni Policor ka përgatitur edhe planin operativ, të cilin do ta zbatojnë në terren dhe ka të bëjë me ngasjen e veturave, shpejtësinë, ndalimin në vendet e ndaluara, përdorimin e alkoolit, përdorimin e telefonit dhe masave tjera që ndikojnë në sigurinë e komunikacionit.
Ndërkaq, sa i përket veprave penale, Rrahmani tha se gjatë muajit korrik janë regjistruar 13 raste të dhunë në familje, ndërsa ‘vjedhje’ dhe ‘vjedhje të rënda’ janë raportuar 24 raste, përfshirë edhe fshatin Malishevë, ku policia është duke vazhduar me zbatimin e planit operativ dhe kohëve të fundit nuk ka pasur raste të reja të vjedhjes atje.
Si rezultat i punës hetimore, janë arrestuar dy persona, ndërsa dy të tjerë janë në kërkim, në lidhje me vjedhjet masive që kanë ndodhur në komunën e Gjilanit dhe dyshohet se të njëjtit janë të përfshirë edhe në fshatin Malishevë.