Në muajt e fundit të mandatit, Ministria e Liburn Aliut shpall tender 1 milion euro për ndërtimin e një rruge
Ministria e Infrastrukturës, në krye me Liburn Aliun, tash kur kanë mbetur rreth tre muaj nga përfundimi i mandatit, ka shpallur një tender në vlerë mbi 1 milion euro për ndërtimin e një rruge. Bëhet fjalë për rrugën Qafë Duhël-Topill-Grajqevc-Papaz, derisa ky tender është për segmentin Topillë, me gjatësi mbi 8 kilometra.
Vlera e parashikuar e kontratës është 1 milion e 98 mijë e 779 euro, derisa afati kohor i caktuar për përfundim të punimeve është 150 ditë, shkruan Reporteri.net.
Në dosjen e tenderit të publikuar në faqen zyrtare të Komisionit Rregullativ të Prokurimit Publik, tregohen në detaje punët që do të kryhen me këtë kontratë, e që përfshijnë: Inçizimet dhe punët paraprake në terren, pastrami i terrenit, konstruksioni i trases së rrugës, muri mbrojtjës dhe tombinat, sinjalizimi.
Kompanitë e interesuara për këtë tender kanë afat të dorëzojnë ofertat deri më 3 dhjetor, në orën 14:00, kur edhe do të bëhet hapja e tenderëve.
Tek kushtet për pjesëmarrje në këtë tender, një prej kritereve është që kompania duhet të ofrojë dëshmi të kënaqshme se gjatë tri viteve të fundit ka pasur qarkullim vjetor jo më pak se 2 milionë euro.
“Shuma e Sigurimit të Tenderit është 30,000.00€, për periudhë valide prej në ditë 120. Sigurimin e tenderit duhet të dorëzohet i skanuar së bashku me ofertë, ndërsa forma origjinale e sigurimit të tenderit do të kërkohet të dorëzohet nga një tenderues të cilin autoriteti kontraktues ka për qellim që ta shpërblej me kontratë. Mos dorëzimi i formës Origjinale të sigurimit të tenderit shpije në zbatimin e nenit 99.2 të LPP”, theksohet në njoftim.