Në mungesë kuorumi nuk hidhet në votim Projekt-rezoluta për pagat në sektorin publik
Propozimi i Projekt-rezolutës për pagat në sektorin publik, i prezantuar sot në seancën plenare të Kuvendit të Kosovës nga Grupi Parlamentar i AAK-së, nuk është hedhur në votim, në mungesë të kuorumit.
Shefi i GP të AAK-së, Besnik Tahiri, iniciues i debatit parlamentar, ka paraqitur propozimin e projekt-rezolutës për pagat në sektorin publik.
“Qeveria e Kosovës sa më parë të sjellë Projektligjin e pagave në sektorin publik për miratim në Kuvendin e Kosovës, në mënyrë që zbatimi të fillojë më 1 mars 2022”, ka thënë ai duke lexuar projekt-rezolutën për pagat në sektorin publik.
Para kësaj, ai adresoi kritika ndaj Qeverisë Kurti për mungesë të vullnetit për miratimin e ligjit të pagave për këtë vit.
“Jam i vetëdijshëm që është një kaos i madh në sektorin e ligjit të pagave. Duhen katër çështje që ju duhet adresuar. Është aspekti i konsultimit politik. E kini konsultimin paraprak që mos të na kthehet ligji në një pakënaqësi sociale. Nën tre, e ki ekspertizën në qeveri dhe atë ndërkombëtare. Nën katër, e kini vendimmarrjen. Ligji është prishur kur është rritur koeficienti me ndikim politik. Ku t’i gjejmë paratë? Ne duhet të zvogëlojmë linjë buxhetore të shtesave, por këtë nevojitet vullnet politik, e vullnet për miratimin e ligjit këtë vit nuk ka qenë”, është shprehur Tahiri.
Kryesuesja e seancës Sarandaj Bogujevci ka thënë se në mungesë të kuorumit, pasi në sallë ishin të pranishëm vetëm 45 deputetë, projekt-rezoluta e propozuar nga GP i AAK-së nuk mund të hidhet në votim dhe se me pikat e mbetura do të vazhdojnë në një seancë tjetër.
Ndryshe, kryeministri Albin Kurti, më herët sot gjatë seancës, tha se qeveria do ta hartojë Ligjin për Paga, me të cilin do t’u bëhet zgjidhje problemeve thelbësore të pagave. Ai tha se nën udhëheqjen e tij janë ulur shpenzimet qeveritare dhe janë rritur të hyrat.
Miratim të Ligjit të Pagave po kërkojnë Federata e Sindikatave të Shëndetësisë së Kosovës dhe SBASHK-u. Tash e disa javë po vazhdojnë diskutimet e mospajtimet mes sindikatave të Kosovës në njërën anë dhe Qeverisë në tjetrën anë.
Përplasjet e javëve të fundit, vijnë pasi muaj me radhë sindikatat kishin kërkuar takim me kryeministrin Albin Kurti për t’i paraqitur kërkesat e tyre, ndërkaq ky i fundit deklaroi se duhet të ketë edhe ndryshime nëpër sindikata.