Në mungesë të Haskukës dhe Selimit shtyhet sërish gjykimi për hedhjen e gazit lotsjellës në Kuvend

24 janar 2022 | 14:22

Mungesa e ish-kryetarit të Komunës së Prizrenit Mytaher Haskuka dhe ish-deputetit nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje Rexhep Selimi, u bë shkak që për të dytën herë të mos nis gjykimi në rastin ku ata së bashku me tre ish-deputetë tjerë Enver Hoti, Shqipe Pantina dhe Teuta Haxhiu po akuzohen se më 2016 hodhën gaz lotsjellës në Kuvend.

Lidhur me mungesën e të akuzuarit Haskuka, gjykatësi i rastit Adnan Kamberi deklaroi se deri në kohën e mbajtjes së kësaj seance, gjykata ende nuk ka pranuar fletëkthesën nga Posta e Kosovës për të konstatuar nëse i njëjti është ftuar në mënyrë të rregullt.

Ndërsa për mungesën e të akuzuarit Selimi, gjykatësi Kamberi njoftoi se gjykata ka pranuar një konfirmim zyrtar nga Policia e Kosovës si organ kompetent, se i njëjti që një vit gjendet në Hagë, në një proces tjetër gjyqësor.

Në këto rrethana, gjykatësi Kamberi konstatoi se nuk janë plotësuar kushtet për mbajtjen e shqyrtimit fillestar dhe për seancën e radhës ai tha se palët do të ftohen me ftesa të rregullta.

Në fund, të akuzuarit Hoti, Pantina dhe Haxhiu, kanë kërkuar që të pajisen me shkresat e lëndës, gjë për të cilën prokurorja Fatmire Cacaj i ftoi ata se në çdo kohë dhe çfarëdo mënyre mund të pajisen me të gjitha shkresat e lëndës.

“Për besë ide s’kam për çka jam këtu, kanë kalu do vjet”, tha e akuzuara Haxhiu,  raporton “Betimi për Drejtësi”.

Ndryshe, “Betimi për Drejtësi” më 8 tetor 2021 kishte raportuar ekskluzivisht për aktakuzën sipas së cilës rezulton se të akuzuarit Hoti, Pantina, Haskuka, Haxhiu dhe Selimi  akuzohen se secili veç e veç i kanë kryer veprat penale “Përdorim i armës apo mjetit të rrezikshëm” dhe “Pengimi i personit zyrtar në kryerjen e detyrave zyrtare”.

Në aktakuzën e përpiluar më 15 prill 2016 nga Prokuroria Themelore në Prishtinë, thuhet se Enver Hoti, Shqipte Pantina, Mytaher Haskuka, Teuta Haxhiu dhe Rexhep Selimi akuzohen se më 19 shkurt 2016, gjatë seancës plenare të Kuvendit të Republikës së Kosovës, pa autorizim kanë përdorur armë me qëllim të ndërprerjes se punimeve të seancës, kanë hedhur gazin lotsjellës.

Aktakuza thotë se gjatë seancës plenare, në vendet ku ishin të ulur, kanë aktivizuar gazin lotsjellës dhe nga tymi i përhapur është pamundësuar mbajtja e rregullt e seancës, me ç ‘rast është ndërprerë puna e Kuvendit të Republikës së Kosovës.

Me këtë, Hoti, Pantina, Haskuka, Haxhiu dhe Selimi secili veç e veç po akuzohen se kanë kryer veprën penale “Përdorimi i armës apo mjetit të rrezikshëm” nga neni 375, paragrafi 1 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

Sipas dispozitivit të dytë të kësaj akuze, në kohë, vend dhe mënyrë si në dispozitivin e parë të kësaj aktakuze, të akuzuarit Hoti, Pantina, Haskuka, Haxhiu dhe Selimi po akuzohen se kanë penguar personat zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare – deputetët e Kuvendit të Republikës së Kosovës, në atë  mënyrë që posa ka filluar seanca e Kuvendit, pas aktivizimit të gazit lotsjellës është ndërprerë seanca plenare.

Me këto veprime, prokuroria i ngarkon ata për veprën penale “Pengimi i personit zyrtar në kryerjen e detyrave zyrtare”, nga neni 409, paragrafi 1 të KPRK-së.

Ndryshe, ish-deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, tani i akuzuari Rexhep Selimi, për shkak të akuzave për krime lufte është duke u mbajtur në paraburgim nga Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, gjatë seancës së jashtëzakonshme në…