Në mungesë të kuorumit nuk votohen rekomandimet për energjinë
Grupi Parlamentar i Lëvizjes Vetëvendosje, si propozues i interpelancës së kryeministrit Haradinaj, në lidhje me reduktimet e ashpra të furnizimit me energji elektrike dhe situatën në sektorin e energjisë, ka paraqitur para deputetëve të Kuvendit nëntë rekomandime, të dala nga tri Grupet Parlamentare, si VV, LDK dhe GDP.
Ato i lexoi Glauk Konjufca, ku ndër to thuhet se Qeveria brenda dy jave, në bashkëpunim me menaxhmentin e KEK-ut të hartojë planin e masave për reagimin emergjent dhe afatgjatë për sigurimin e prodhimit të energjisë, si dhe të auditohet kontrata e privatizimit të distribucionit nga KEDS-i, e cila sipas Konjufcës nuk është bërë kurrë.
Mirëpo, në vazhdimin e seancës për interpelancë të kryeministrit Haradinaj për energji në sallë ishin vetëm 43 deputetë me ç’rast nuk pati kuorum për t’i votuar rekomandimet dhe për vazhduar seanca.
Ndërsa, për vazhdimin e seancës, kryesuesi i saj, Kujtim Shala deklaroi se vendos Kryesia e Kuvendit.