
Në mungesë të Sveçlës dhe Pacollit, dështon seanca për hedhjen e gazit lotsjellës në Kuvend
Në mungesë të ministrit të Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla dhe deputetes Fitore Pacolli-Dalipi, ka dështuar të mbahet seanca e së hënës në Gjykatën Themelore në Prishtinë, në rastin ku të njëjtit bashkë me deputetin tjetër të Vetëvendosjes, Salih Zyba dhe deputeten e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Drita Millaku, akuzohen për hedhjen e gazit lotsjellës në Kuvendin e Kosovës në mars të 2018-ës.
Gjykatësi Sabit Sadikaj tha se i akuzuari Sveçla përmes e-mailit zyrtar ka njoftuar se gjendet jashtë vendit, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Në seancë mungoi edhe e akuzuara Pacolli-Dalipi, për të cilën, gjykatësi tha se nuk ka dëshmi se e ka pranuar ftesën për seancën e sotme.
Gjykatësi Sadikaj tha se procesverbali iu shërben si ftesë e rregullt të akuzuarve tjerë, kurse për Sveçlën dhe Pacolli-Dalipin do të përsëritet ftesa.
Ai tha se me ftesë të rregullt do të ftohet edhe avokatja e Zybës, Laura Kuqi, e cila mungoi në këtë seancë. Për mungesën e saj, avokati i Sveçlës- Laur Prenaj tha se ajo mungon për arsye shëndetësore.
Në këtë seancë, prezent ishin e akuzuara Millaku me avokatin e saj- Veton Robaj, i akuzuari Zyba, si dhe avokatët Laur Prenaj dhe Lavdrim Salihu (avokat i Pacolli-Dalipit). I pranishëm ishte edhe prokurori Milot Krasniqi.
Gjykata Themelore në Prishtinë më 6 qershor 2024 ka konfirmuar aktakuzën ndaj Ministrit i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla dhe tre deputetët Drita Millaku, Salih Zyba dhe Fitore Pacolli-Dalipi, për hedhjen e gazit lotsjellës në Kuvend në mars të 2018-ës. Kurse, vendimin e Themelores e vërtetoi më pas Gjykata e Apelit.
Ndryshe në seancën fillestare të mbajtur më 26 mars 2024, ministri Sveçla dhe tre deputetët Millaku, Zyba dhe Pacolli-Dalipi ishin deklaruar të pafajshëm për hedhjen e gazit lotsjellës në Kuvend.
Ministri Sveçla dhe tre deputetët Millaku, Zyba dhe Pacolli-Dalipi akuzoheshin edhe për veprën penale “Pengim i personit zyrtar në kryerjen e detyrave zyrtare”, por për këtë vepër në seancën fillestare gjykatësi i rastit Sabit Sadikaj, kishte njoftuar se ka arritur parashkrimi absolut i ndjekjes penale.
“Betimi për Drejtësi”, në tetor të vitit 2021 kishte raportuar ekskluzivisht për aktakuzën e ngritur ndaj ministrit Sveçla dhe deputetëve Millaku, Zyba dhe Pacolli-Dalipi.
Sipas aktakuzës së siguruar nga “Betimi për Drejtësi”, e cila rezulton të jetë ngritur më 29 korrik 2019, Sveçla, Millaku, Zyba dhe Pacolli-Dalipi po akuzohen se më 21 mars 2018, rreth orës 12:10 e deri në orën 15:40, kanë ndezur disa bombola të gazit lotsjellës, të cilat i kishin hedhur brenda sallës së Kuvendit të Kosovës, ku po mbahej seanca plenare.
Aty thuhet se si rrjedhojë e kësaj, të gjithë deputetët ishin detyruar ta lironin sallën e Kuvendit, me ç’rast kanë pamundësuar vazhdimin e seancës.
Me këtë, secili veç e veç akuzohen se kanë kryer veprën penale “Përdorimi i armës apo mjetit të rrezikshëm” nga neni 375, paragrafi 1 të Kodit Penal, kryerësi i së cilës dënohet me burgim prej një deri në tetë vjet.
Kurse, sipas dispozitivit të dytë, thuhet se secili veç e veç kanë kryer veprën penale “Pengimi i personit zyrtar në kryerjen e detyrave zyrtare” nga neni 409, paragrafi 1 të Kodit Penal, pasi kanë penguar deputetët e Kuvendit të Kosovës ne kryerjen e detyrave zyrtare. Kryerësi i kësaj vepre dënohet me burgim prej tre muaj deri në tre vjet.