![](https://www.epokaere.com/wp-content/uploads/2025/02/posta.jpg)
Në nderim të 80-vjetorit të gazetës ‘Rilindja’, Posta vë në qarkullim postar emisionin e ri të pullave postare
Më 12 shkurt, Posta e Kosovës, përmes Filatelisë së saj, në nderim të 80-vjetorit të gazetës “Rilindja”, në qarkullim postar vë emisionin e ri të pullave postare.
Ky emision i pullës postare rendit kontributin e gazetarëve, redaktorëve dhe gjithë punonjësve të medies së parë të shkruar në Kosovë “Rilindja”, që nga botimi i numrit të parë të gazetës, më 12 shkurt 1945.
Botimi i numrit të parë të gazetës kërkonte shumë përkushtim dhe punë, megjithatë falë angazhimit të madh të punonjësve, u arrit që shkronjat e gjuhës shqipe të punoheshin manualisht, në mënyrë që gazeta “Rilindja” të ishte në duar të lexuesve nga 12 shkurti i vitit 1945.
“Kontributi i gazetës “Rilindja” nuk kufizohet vetëm në fushën e informacionit, pasi që nga viti 1946, bëhet bartëse e aksioneve të shumta për zhdukjen e analfabetizmit dhe të fushatave për arsimimin e gruas. Me bartjen e shtypshkronjës në Prishtinë në vitin 1958, rritet edhe numri i botimeve, kur gradualisht “Rilindja” shndërrohet në gazetë ditore”, thuhet në njoftimin e Postës së Kosovës.
Tutje, theksohet se në periudhën e territ informativ të vitit ’90, si rezultat i masave të dhunshme, më 8 gusht 1990 u ndalua publikimi i gazetës “Rilindja”. Megjithatë, më 18 janar 1991, punonjësit e uzurpuar arritën që të vazhdojnë informimin e opinionit vendor dhe ndërkombëtar përmes përdorimit të emërtimit të gazetës “Bujku”. “Kontributi i jashtëzakonshëm i të gjithë gazetarëve, redaktorëve dhe punonjësve entuziast për tejkalimin e sfidave në mënyrë që gazeta “Rilindja” të arrijë në duart e lexuesve, ka qenë dhe mbetet vlerë e paçmuar në ruajtjen e identitetit kombëtar, si dhe të promovimit të vlerave të lirisë e demokracisë”, vijon njoftimi.
Posta e Kosovës shton tutje se ky shënim jubilar le të shërbejë për të reflektuar mbi rolin dhe ndikimin e gazetës “Rilindja”, si forcë, motivim dhe shtysë për të vijuar misionin e saj fisnik në të ardhmen.