Në ndërtesën e Qeverisë, Kurti pret bashkatdhetarët për të shënuar Ditën e Diasporës
Kryeministri Albin Kurti në ndërtesën e Qeverisë ka pritur mbrëmë bashkatdhetarët për të shënuar Ditën e Diasporës.
Ai ka thënë se vullnetin, patriotizmin, gatishmërinë, mërgata jonë e ka pasur përherë.
“Çka i ka munguar është shteti në krah të saj e infrastruktura institucionale që vullnetin e pashtershëm, patriotizmin shembull dhe gatishmërinë e përhershme, ta kthejë në zhvillim të vendit për më shumë të drejta, për më shumë mirëqenie. E Qeveria jonë këtë e di shumë mirë dhe për këtë angazhohemi çdo ditë”, ka shkruar Kurti në “Facebook”.
“Edhe këtë vit mirëpritëm bashkatdhetarë tanë në ndërtesën e Qeverisë, për të shënuar bashkë Ditën e Diasporës. Gjatë gjithë muajve të verës kemi pasur e do të kemi aktivitete të shumta kushtuar atyre, e gjatë gjithë vitit angazhohemi që t’i shtojmë arsyet dhe mundësitë që mërgata jonë të forcojë lidhjet me vendin. Sado e madhe që mund të jetë largësia, atë mund ta zvogëlojmë përmes nismave dhe politikave të qëndrueshme”, ka shkruar ai.