Në njëvjetorin e kalimit në amshim përkujtohet Agron Haradinaj në Shtutgart të Gjermanisë
Në Shtutgart të Gjermanisë, bashkëluftëtarë, bashkëveprimtarët, miq, shokë dhe familjarë të veteranit të tri luftërave çlirimtare, Agron Haradinajt, organizuan të shtunën tubim përkujtimor në njëvjetorin e kalimit të tij në përjetësi.
Tubimi u hap me jetëshkrimin për Agron Haradinajn, “Flakadan që u dogj e s’u shua”, ndërsa moderatori i kësaj mbrëmjeje, Xhelal Tetaj, ftoi nikoqirin, veprimtarin Gëzim Avdimetajn për një fjalë rasti.
Gëzim Avdimetaj, pasi i përshëndeti të pranishmit dhe falënderoi të pranishmit e shumtë për pjesëmarrje, kërkoi një minutë heshtje për të nderuar jetën dhe veprën e Agron Haradinaj.
Veprimtari i shquar Hasan Ukëhaxhaj foli për veprimtarinë e Agron Haradinajt dhe familjen e tij që ka dhënë kontribut të madh për çështjen kombëtare.
Ndërsa Imer Lladrovci në fjalën e tij, potencoi se Agron Haradinaj do të jetë frymëzues për brezat e ardhshëm që do të vinë se si duhet të punohet, të veprohet e të luftohet për lirinë e kombit të tij.
Pjesëmarrësit dhe te pranishmit i përshëndetën edhe bashkëluftëtarët e Agronit;
Gjenerali Kudusi Lame, nga Tirana, Kolonel Sokol Poga nga Durrësi, Kryetari i Deçanit, Bashkim Ramosaj, Komandant Shpëtimi – Mustafë Shaqiri, nga Lugina e Preshevës si dhe Uk Lushi nga Batalioni Atlantiku nga Nju Jorku,Avni Mataj,Bajram Mulaj.
Të gjithë folën me vlerësimin më të lartë për veprën, kontributin e heroizmin e Agron Haradinajt, nga mosha e rinisë së hershme, si ndër të burgosurit më të rinj në ish Jugosllavi, nga një familje e cila e tëra u persekutua pa ndalë, deri në çlirimin e vendit, si dhe me heroizmin si ushtar i tri luftërave dhe pjesëtar i tri ushtrive tona çlirimtare.
Po ashtu, u shfaq filmi dokumentar “Flamurtar i lirisë shqiptare” nga ATD Tv Pejë, që i kushtohej Agron Haradinajt dhe familjes së tij, duke nxitur emocione të forta tek të pranishmit.
Për Agronin dhe heronjtë, u kënduan këngë atdhetare nga Avdullah Bajrami, Lëndita Haxhiu Zeqiri dhe Valdet Idrizaj.
Ndërsa në fund të tubimit organizatorin dhe të pranishmit në emër të familjes i përshëndeti Gjeneral Nasim Haradinaj, me ç’rast theksoi se bashkatdhetarët asnjëherë nuk u ndan nga çështja kombëtare dhe përkujtimi për heronjtë, dëshmorët dhe martirët e kombit.